Festa e Kroit të Bardhë, banorë dhe ish-banorë bashkohen për të kujtuar vendlindjen

Prej shtatë vitesh radhazi, në bjeshkët e Buzëmadhes organizohet “Festa e Kroit të Bardhë”, një ngjarje që mbledh bashkë banorë të zonës, ish-banorë, artistë dhe të ftuar të tjerë për të festuar dhe për të rikujtuar rrënjët e tyre.
Një pjesë e tyre jetojnë larg Kukësit dhe kthehen për të ndarë kujtime, për të rrëfyer histori dhe për të dëshmuar lidhjen shpirtërore me vendin ku janë rritur.
Organizatorë të kësaj feste janë anëtarët e familjes Shehu nga fshati Buzëmadhe. Ylli Shehu, biri i kësaj familjeje, thotë se qëllimi i kësaj feste është të bashkojë brezat dhe të mbajë gjallë lidhjen me vendlindjen.
“Çdo vit ka pasur akoma më shumë interes nga banorët”, u shpreh Shehu.
Festat e bjeshkëve janë kthyer në një traditë të përvitshme. Çdo verë, banorët dhe ish-banorët e fshatrave përkatës organizohen dhe marrin pjesë masivisht, duke e kthyer këtë ngjarje në një festë të shpirtit dhe të kujtesës.
/rtsh.al/