Festa e NATO-s, fatura 1 milionë euro
TIRANË- Festimet për hyrjen e Shqipërisë në NATO i kanë kushtuar shtetit shqiptar një shumë jo të vogël por rreth një milionë euro. Nga ceremoniali në aeroportin e Rinasit, koncerti në sheshin "Skënderbej", ngjyrosja e Tiranës me blu, krijimi i flamujve e deri tek posterat e rrugës janë bërë nga firma private të kontraktuara nga qeveria.
Asnjë firmë e vetme nuk mund të bënte aq shumë printime dhe puna është shpërndarë në shumë kompani. Këtyre shpenzimeve u janë shtuar edhe transporti i mijëra punonjësve të administratës publike dhe institucioneve shtetërore nga të 11 rrethet e tjera të vendit për në kryeqytet.
"Mitingu" i parë i fushatës së Berishës për zgjedhjet 2009 tregoi atë që do të ndodhë gjatë muajve në vijim e deri më 26 qershor, mesnatën e së cilës hyn në fuqi heshtja elektorale.
Asnjë nga institucionet shtetërore të përfshira në këtë ceremoni nuk ka pranuar dje që të tregojë se sa ka kushtuar realisht festa.
Duke kaluar "topin" nga njëra ministri tek tjetra ato kanë mbajtur të fshehtë shumën reale të festimeve. Burimet e qeverisë pohuan se fondi është lëvruar me Vendim të Këshillit të Ministrave por nuk tregohet se nga ka dalë.
Sipas tyre, paratë janë paguar nga Ministria e Mbrojtjes por ky institucion nuk pranon se ka dhënë paratë e festës. E vetmja gjë e pranuar zyrtarisht nga të gjitha institucionet është fakti se është ngritur një grup i gjerë pune që ka mbikëqyrur realizimin e të gjitha festimeve.
Zbritja e kryeministrit Berisha dhe delegacionit të tij nga avioni në aeroportin e Rinasit është pritur me një festë të madhe.
Aeroporti ishte bërë "nuse" duke u veshur me flamuj e posterë të shumtë. E gjithë rruga nga Rinasi e deri në kryeministri kishte të njëjtën pamje. Mijëra flamuj e posterë "Shqipëria në NATO" dhe "Miracle of freedom" janë printuar për katër ditë me radhë.
Përveç tyre, fasada tek kryeministria, fasada e Kuvendit dhe fasada gjigante e Pallatit të Kulturës ishin mbuluar nga posterët për hyrjen e Shqipërisë në NATO. Por dekorimi dhe ceremoniali nuk ishin aspak zëri kryesor në fondin e shpenzimeve të qeverisë për të festuar hyrjen në NATO.
Koncerti i "UB40" ka qenë kulmi i festimeve të qeverisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Burime nga firma që ka organizuar koncertin thanë dje se vetë grupi ka marrë më shumë se 50 mijë euro për të ardhur e kënduar në kryeqytet.
Ndërkohë që pjesa kryesore e "tortës" është zënë nga skena gjigante dhe super e shtrenjtë. Tre plazma marramendëse, ku ajo qendrorja ishte edhe më e shtrenjta, kanë trumbetuar festimet për hyrjen në NATO.
Burime nga firma pohuan dje se vetëm koncerti i tyre ka kushtuar më shumë se 500 mijë euro, nga të cilat kanë marrë vetëm një pjesë ndërsa tjetrën do e marrin ditët në vazhdim.
Por meqë u organizuan të gjitha këto festime sheshi duhej mbushur dhe askush nuk mund të rrezikonte një dështim.
Për këtë arsye, qershia mbi tortë, ishin njerëzit e ardhur nga rrethet. Buxhetorët janë marrë "me forcë" dhe janë hipur në autobusët e shumtë që i janë drejtuar Tiranës. Secilit prej tyre u është treguar edhe vendi i saktë se ku do të qëndrojnë në shesh e më pas u është treguar edhe orari se kur duhet të kthehen sërish në qytetet e tyre me të njëjtin autobus.