E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI program për bujqësinë

Lushnjë - Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, është ndalur në Krutje të Lushnjës, ku ka zhvilluar takime me qindra banorë. “Sigurisht që bujqësia është kryetema e gjithë programit dhe planit tonë, për qeverisjen e ardhshme. Në qoftë se bujqësia nuk del nga kjo krizë, Shqipëria nuk del nga kriza ekonomike, sepse janë 600 milion euro që vijnë nga paratë që sjellin emigrantët tanë në Shqipëri, që shkojnë përsëri jashtë për të blerë ushqime”-deklaroi Meta para banorëve.

Kreu i LSI-së, tha se bujqësia do të dalë nga kjo krizë e rëndë në të cilën ndodhet, vetëm duke zbatuar planin e kësaj force politike, sipas të cilit do të forcohet roli i shtetit dhe qeverisë, i cili fillon që nga garancitë për sigurinë e farërave, dhe inputeve të tjera që shpesh skadojnë dhe marrin në qafë fermerë të tërë në të gjithë vendin dhe deri tek subvencionimi për farërat, për plehun kimik, për punimin e tokës, për mekanizmat bujqësore, etj.

“Po që të bëhen të gjitha këto kuptohet që shteti duhet të japë garanci sipërmarrësve të caktuar, duhet të bëjë marrëveshje me bankat, sepse ato janë private dhe bankat nuk japin me dëshirë kredi për bujqësinë, sepse bujqësia është sektor me risk, por shteti të vendosë një fond garancie shtetërore për bankat që ato të çlirohen nga pasiguruara dhe të japin kredi për të ndërtuar njësi të tilla agropërpunuese, dhe t’u japë garanci këtyre sipërmarrësve në mënyrë që t’i lehtësojë nga detyrimet që kanë”-tha më tej Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›