Festa e Pavarësisë, mbi 18 mijë shqiptarë të Kosovës në 24 orët e fundit kaluan në Morinë

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Qytetarë të shumtë nga Kosova kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar festat e 28 dhe 29 nëntorit.
Prefekti i qarkut të Kukësit, Dritan Beji tha sot për ATSH-në se “në 24 orët e fundit në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës ka pasur një fluks të lartë të qytetarëve nga Kosova që i janë drejtuar Shqipërisë për të festuar”
“Referuar të dhënave të Drejtorisë së Policisë Kufitare të Kalimit Kufitar të Morinës vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë futur 64 autobusë, ndërsa në total kanë hyrë 17 789 shtetas dhe 4651 automjete”, tha Beji.
Ndërsa, vijoi Prefekti Beji, vetëm mëngjesin e sotëm kanë hyrë 500 mjete me 2 mijë persona.
Sipas tij, autoritetet kufitare po e përballojnë numrin e madh të hyrjeve dhe daljeve dhe nuk janë krijuar radhë dhe as vonesa.
Për shqiptarët e Kosovës qyteti më i preferuar për të festuar mbetet Vlora, por edhe qytetet e tjera të vendit.
Ndërsa në Pikën e Kalimit Kufitar në Kapshticë ka fluks të shtuartë mjeteve, ku pala shqiptare punon me 5 sportele në dalje dhe 1 në hyrje.
Sipas prefektit të Korçës, Nertil Jole në këtë pikë kufitare deri në këto momente kanë dalë dhe hyrë nga vendi ynë 8845 shtetas me 3011 mjete.
Në të gjithë vendin sot festohet 113-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, si dhe nderon Ditën e Flamurit Kombëtar, simbol i rrugëtimit historik, i sfidave të përballuara dhe i vlerave që bashkojnë shqiptarët kudo ndodhen.
1 nga 4/k.s/r.e/