Festa e SHBA, Arvizu: Do jemi në anën e shqiptarëve

Topi, Arvizu, Topalli e Berisha, dje ne ambasaden e SHBA ne Tiranë
Përvjetori i 20-të i hapjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë pas rënies së regjimit komunist bashkon edhe njëherë tjetër klasën politike shqiptare. Presidenti Bamir Topi, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kanë qenë së bashku në këtë festë të organizuar në ambientet e brendshme të Ambasadës Amerikane, por jo të gjithë kanë shtrënguar duart me njëri-tjetrin. Të parët krerë që u panë në selinë e Ambasadës Amerikane ishin kryeparlamentarja Topalli me bashkëshortin dhe ministri i Jashtëm, njëherësh zv.kryemi-nistër i vendit, Edmond Haxhinasto. Në orën 18:00 shkallët e Ambasadës i ngjiti

Kreret e shtetit dje gjate ceremonise ne ambasaden Amerikane
Kryeministri Sali Berisha me bashkëshorten e tij dhe pas tij erdhi Presidenti Topi. Me gjithë akuzat e forta të ditëve të fundit mes kreut të shtetit dhe Kryeministrit, kjo nuk i ka penguar ata që të paktën në publik të tregohen institucionalë dhe të shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin. Të njëjtën gjë Presidenti ka bërë edhe me Topallin. Të pranishëm në këtë festë ishin gjithashtu edhe dy

Rama me bashkëshorten dje në Ambasadën Amerikane
ish-presidentët, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu. Në orën 18:10, ambasadori amerikan, pasi trokiti gotat me të ftuarit, nisi tu tregojë atyre disa albume fotografike. Disa minuta më vonë, në pjesën përpara Ambasadës u pa edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, me bashkëshorten e tij, Linda Rama. Por, në asnjë moment ai nuk u takua me Kryeministrin Berisha. Gjatë ceremonisë, ambasadori amerikan i cilësoi të ftuarit si pjesë e historisë së Shqipërisë. Ambasadori amerikan i siguroi shqiptarët se SHBA do të vijojnë ta mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj, ndërkohë theksoi se e ardhmja e vendit është në duart e shqiptarëve. E ardhmja e Shqipërisë është në duart e juaja, ju përket juve ta përcaktoni të ardhmen nëse do të punoni për një qëllim të përbashkët. E, ndërsa e bëni këtë, të jeni të sigurt që SHBA do të jenë në anën e shtetasve shqiptarë. Faleminderit për 20 vite të mrekullueshme dhe për këtë natë të magjishme, tha Arvizu. Kjo është hera e dytë brenda një kohe të shkurtër kur Berisha e Rama janë fare pranë njëri-tjetrin dhe largohen pa ia dhënë dorën kundërshtarit politik. Dy javë më parë ata ishin në një ceremoni të fondacionit Frederich Erbert dhe me gjithë insistimin e ambasadores gjermane, sërish u larguan pa u takuar.
Bamir Topi: Shqipëria në BE, çështje kohe
Presidenti Bamir Topi i ka cilësuar si të kapërcyeshme vështirësitë aktuale të klasës politike në vend. Duke folur në ceremoninë me rastin e 20-vjetorit të hapjes së Ambasadës Amerikane në Tiranë, kreu i shtetit tha se e vetmja rrugë që do të ndjekë Shqipëria është anëtarësimi i saj në Bashkimin Europian. Shqipërinë dhe popullin shqiptar e presin suksese të reja. Përveç anëtarësimit në NATO, ne presim të shkojmë në Bashkimin Europian. Pavarësisht vështirësive të çastit, ato janë të gjitha vështirësi të kapërcyeshme. Ajo është e vetmja rrugë që Shqipëria dëshiron të bëjë dhe jam i bindur që do ta bëjë. Ajo është vetëm çështje kohe, madje e një kohe shumë të shkurtër, u shpreh Presidenti. Sipas Topit, Shqipëria i është mirënjohëse qeverisë së SHBA-ve për gjithçka ajo ka bërë për vendin tonë në këto dekada. Ne ju jemi mirënjohës për gjithçka keni bërë për rilindjen e demokracisë dhe forcimin e institucioneve shqiptare. Ne u jemi mirënjohës të gjithë miqve tanë perëndimorë, por askush më shumë se ju nuk ka punuar dhe po punon në Shqipëri siç keni bërë ju për forcimin e standardeve të demokracisë funksionale. Është një nder i madh për ne që të jemi bashkudhëtarë besnikë me ju kudo, në çdo mision, aty ku ka nevojë të rivendoset paqja dhe siguria në botë. Ne jemi aleatë modestë, por jemi aleatë të sigurt, theksoi më tej Presidenti.
Berisha: Ne, krenarë me proamerikanizmin
Në fjalën e tij në ceremoninë e djeshme, Kryeministri Sali Berisha tha se çdo qytetar shqiptar e ndien veten krenar me proamerikanizmin e tij. Në këtë 20-vjetor, sigurisht që ka një bilanc, por e pamundur që ta përqendrosh atë në 20 vite. Të gjitha vendimet e presidentëve të vendit dhe të qeverisë suaj në 90 vitet e fundit janë vendime që kanë të bëjnë direkt me ekzistencën e lirë të shqiptarëve, me pavarësinë e tyre. Ndaj dhe çdo shqiptar është krenar me proamerikanizmin e tij, ndjenjë kjo e rrënjosur në lirinë e tyre dhe që do të zgjasë për sa kohë të jetojë ideali i lirisë së tyre, u shpreh Berisha. Ai kujtoi edhe njëherë vizitën e sekretarit të Shtetit, Xhejms Bejker në vendin tonë, në vitin 1991. Ka dhe një moment shumë të veçantë të 20 viteve më para. 20 vjet më parë qarkullonte një ide, se Shqipëria mund të mbetej dhe si Kuba e Ballkanit. Shqiptarët i lëndonte shumë kjo ide, por të këtij mendimi nuk ishte Presidenti i SHBA-ve dhe as qeveria juaj. Ky ishte mesazhi i madh që solli sekretari i Shtetit Bejker në sheshin Skënderbej në Tiranë, se për ju shqiptarë liria do të funksionojë dhe funksionon, u shpreh kreu i qeverisë.
Topalli
E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. Gjatë fjalës së saj para të ftuarve me rastin e 20-vjetorit të rivendosje së marrëdhënieve me SHBA, ajo u shpreh se ky është një përvjetor shumë i veçantë, pasi jemi bërë dëshmitarë të ndryshimeve që kanë ndodhur në vite. Sipas kryeparlamentares, në këto 20 vite jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha. Ne shqiptarët u jemi shumë mirënjohës SHBA. Historia e Shqipërisë është e lidhur me SHBA, historia e hyrjes në NATO, gjithashtu.
ADI SHKEMBI