Festa e Verërave dhe Gështenjave, Rama: Pogradeci ju mirëpret

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Promovimi i produkteve vendase është synimi kryesor i Festës së Verërave dhe Gështenjave, e cila organizohet në Pogradec.
E kthyer tashmë në traditë në qytetin e Pogradecit, kjo festë tërheq vizitorë të shumtë dhe turistë të huaj të cilët shijojnë produktet vendase.
Kryeministri Edi Rama ftoi sot qytetarët që në datat 6 dhe 7 dhjetor të bëhen pjesë e Festës së Verërave dhe Gështenjave, në Pogradec.
Festa e Verërave dhe Gështenjave është shndërruar tashmë në një festë të përvitshme që tërheq gjithmonë e më shumë vizitorë në qytetin juglindor të vendit.
Edhe këtë vit nuk do të mungojnë tezgat në shërbim të të gjithë të interesuarve që dëshirojnë të tregtojnë verën e tyre apo produkte ushqimore tradicionale. Po ashtu, bizneseve iu krijohet mundësia që të promovojnë gatimet e tyre tradicionale, punimet artizanale etj.
Prodhimi i verës mbetet një traditë për qytetin e Pogradecit, ndërsa verërat pogradecare në vite, kanë marrë edhe disa çmime ndërkombëtare.
/m.m/j.p/r.e/