Shmangën 54 milionë lekë taksa e tatime, Prokuroria dërgon në gjyq shoqërinë “Benet Holdin” dhe administratoren

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasen G.P., dhe subjektin “Benet Holdin” sh.p.k., për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Në kuadër të hetimeve të cilat kanë nisur një vit më parë, Prokuroria thotë se ka rezultuar se subjekti në fjalë me aktivitet “Këshillim për biznes dhe këshillime të tjera” dhe administratorja G.P., kanë konsumuar elementë të veprës penale “Mospagim të Taksave dhe Tatimeve” dhe “Fshehje të të ardhurave” për periudhën 2018-2021.
Sipas prokurorisë, nga hetimet rezultoi se shoqëria “Benet Holding” sh.p.k., me administratore shtetasen G.P., nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve ose mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi, si dhe duke dorëzuar dokumente apo deklarata të rreme, me qëllim fitimin material, për vete apo për të tjerët, përmes përllogaritjes së pasaktë të shumës së tatimit, taksës, kanë mundur të shmangin detyrimet në organin tatimor në vlerën totale 53.891.336 lekë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, provoi se personi nën hetim G.P., ka kryer shitje të padeklaruara, me qëllim për t’iu shmangur pagimit të TVSH-së, pasi Benet Holding shpk nuk i plotësonte kriteret e vendosura nga ligjit për TVSH për të kryer shitje pa TVSH, etj. Ky fakt u vërtetua nga Raporti Kontrollit Përfundimtar sjellë nga Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë.
/a.f/r.e/