E Hënë, 2 Nëntor 2026

Festat e Nëntorit/ Presidentja Vjosa Osmani nis vizitën zyrtare në Shkodër, pritet nga kryebashkiaku Beci

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur këtë të enjte një vizitë zyrtare në qytetin e Shkodrës. Kjo vizitë vjen në kuadër të festimeve mbarëkombëtare të Festave të Nëntorit, duke sjellë një simbolikë të veçantë bashkimi mes dy vendeve.

E para e shtetit të Kosovës është pritur në ambientet e Bashkisë së Shkodrës nga Kryebashkiaku Benet Beci, ku kanë zhvilluar edhe një takim kokë më kokë për të diskutuar mbi bashkëpunimin dhe rëndësinë e këtyre datave historike.

Agjenda kulturore dhe historike

Pas takimit zyrtar në bashki, agjenda e Presidentes Osmani vijon me vizita në dy prej institucioneve më të rëndësishme muzeale të qytetit, që dëshmojnë historinë dhe kulturën shqiptare.

Ajo do të vizitojë Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, arkiva e të cilit ruan memorien vizuale të kombit, si dhe Muzeun e “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, i cili dokumenton persekutimin gjatë regjimit komunist.

Takimet me komunitetet

Një moment i veçantë i kësaj vizite do të jetë takimi i mbyllur që Presidentja do të zhvillojë me përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shkodër, qytet i njohur për harmoninë ndërfetare.

Gjithashtu, vizita do të përmbyllet me një takim të dedikuar me gratë shkodrane, ku pritet të diskutohet mbi rolin e gruas në shoqëri dhe sfidat e përbashkëta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›