SPAK publikon detaje nga operacioni ndërkombëtar që çoi në pranga oficerin e Forcës Operacionale, i cili shiste sekretet e hetimit te trafikantët e drogës

Një operacion i gjerë ndërkombëtar antidrogë, i koordinuar mes SPAK, Antimafias italiane (Breshia) dhe autoriteteve zvicerane, është finalizuar këtë të enjte (27.11.2025) me arrestime të bujshme dhe sekuestrime masive.
Në rrjetën e drejtësisë nuk kanë rënë vetëm trafikantët, por edhe një oficer i lartë i Policisë së Shtetit, pjesë e Forcës së Posaçme Operacionale, i cili akuzohet se ka tradhtuar uniformën duke i shitur informacione sekrete grupit kriminal.
Oficeri i policisë, “spiun” i trafikantëve
Pjesa më tronditëse e dosjes hetimore lidhet me shtetasin me iniciale I.H., me detyrë Oficer i Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.
Sipas SPAK, ky efektiv ishte ngarkuar të kryente hetime pikërisht për këtë grup kriminal. Por, në vend që t’i hetonte, ai u shiste atyre informacione nga dosja. Hetimet kanë provuar se I.H. u ka zbuluar të dyshuarve akte procedurale që përbënin “sekret hetimor” në këmbim të përfitimeve monetare. Ndaj tij rëndojnë akuzat për korrupsion, shpërdorim detyre dhe zbulim të sekreteve. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ekzekutuar sot urdhër-arrestin ndaj tij.
Itenerari i drogës dhe “Korrierët” me autobusë
Hetimet kanë zbuluar se grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shqiptarë, importonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës Veriore përmes rrugëve detare. Më pas, droga transportohej me kamionë të tonazhit të rëndë drejt Italisë.
Për të lëvizur paratë e fituara nga trafiku (cash), grupi përdorte të ashtuquajturit “money mules” (transportues financiarë). SPAK ka zbuluar se në këtë skemë ishin përfshirë edhe shoferë autobusësh të linjave Itali-Shqipëri, të cilët transportonin shuma të mëdha parash drejt krerëve të grupit.
Bilanci, 1.3 ton kokainë dhe baza logjistike
Gjatë hetimeve disavjeçare, autoritetet italiane kanë arritur të sekuestrojnë një sasi totale prej mbi 1.3 ton kokainë. Grupi kishte krijuar 6 baza logjistike në Itali për magazinimin dhe shpërndarjen e drogës.
Gjatë operacioneve të ndryshme janë sekuestruar:
• Mbi 550,000 euro ‘cash’.
• 130 kg drogë (kokainë dhe heroinë) në një rast të vetëm, me vlerë tregu 12 milionë euro.
• 10 autovetura dhe armë zjarri.
Sot, në Shqipëri janë kryer kontrolle në 21 banesa dhe ambiente. Nga 24 urdhër-arreste të lëshuara nga Italia, është verifikuar se 6 prej të dyshuarve ndodhen në territorin shqiptar, ku 3 prej tyre janë vënë tashmë në pranga.
/rtsh.al/