Ndërtimi vijon me ritme të larta: 16 mld lekë projekte, Tirana kryeson zgjerimin e sektorit

Sektori i ndërtimit mbetet një nga pjesët më dinamike të ekonomisë, kjo sipas të dhënave të INSTAT për tremujorin e tretë të 2025.
Pergjatë kësaj periudhe janë miratuar 289 leje ndërtimi me një sipërfaqe të planifikuar prej 350.603 m².
Ndërtimet rezidenciale dominojnë, me 231 leje dhe 273 mijë m², duke konfirmuar vijimësinë e tendencës që ka karakterizuar vitet e fundit: orientimin drejt banesave dhe projekteve me densitet të lartë.
Rritja e ndërtimeve me tre e më shumë kate dhe e rezidencave komunitare (149 mijë m²) sugjeron një shtim të kërkesës për struktura të mëdha dhe të organizuara, sidomos në zonat urbane.
Tek ndërtesat jo-rezidente, të cilat zënë 58 leje, pesha e objekteve industriale dhe tregtare është në linjë me vitet e kaluara, duke treguar një rritje më të matur të sektorit të shërbimeve krahasuar me atë të banimit.
Vlera totale e projekteve arrin në 15,9 miliardë lekë, me rritje të dukshme në qarqet Elbasan, Kukës dhe Dibër, ndërsa Tirana ruan dominimin historik me 93 leje dhe mbi 252 mijë m² ndërtim të planifikuar.
Megjithatë, varësia strukturore nga ndërtimi mbetet sfidë: investimet e përqendruara kryesisht në banesa rrezikojnë krijimin e një tregu të mbingopur, ndërsa zhvillimi ekonomik jashtë Tiranës mbetet ende i pabarabartë.
/rtsh.al/