E Diel, 1 Nëntor 2026

Festat kushtojnë më shtrenjtë, inflacioni në nëntor 2.8 për qind

10/12/2009  Shtrenjtohen ushqimet, veshjet, karburantet dhe tarifat e universiteteve

Stina e festave të fundvitit po shoqërohet me shtrenjtim të çmimeve. Nga muaji në muaj inflacioni në vend po njeh vetëm rritje. Sipas Institutit të Statistikave, gjatë nëntorit inflacioni në vend arriti në 2.8 për qind me një rritje të lehtë krahasuar me tetorin. Ndikimin më të madh në rritjen e çmimeve e ka pasur nafta dhe benzina, por gjatë muajit që lamë pas, rritje kanë pësuar edhe perimet. Tendenca e rritjes së çmimeve gjatë festave të fundvitit rrezikon të përsëritet edhe gjatë dhjetorit, kur çmimet e fruta- perimeve, por edhe të produkteve të tjera pësojnë rritje për shkak të kërkesës së lartë. Më konkretisht, në analizën e tyre ekspertët e INSTAT-it kanë nënvizuar se në muajin nëntor 2009, çmimet e konsumit pësuan një rritje 0.4 për qind krahasuar me muajin tetor. “Ndryshimi vjetor në muajin nëntor është 2.8 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.6 për qind”, - theksohet në analizën e Institutit të Statistikave. Rritja më e madhe është shënuar brenda grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike”, me një rritje prej 11.9 për qind në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Ndërsa indeksi i grupit të ushqimeve në tërësi shënoi një rritje prej 0.8 për qind. Ekspertët kanë vënë re rritje çmimesh edhe në disa nëngrupe të tjera, përveç çmimeve të nëngrupit “fruta” që gjatë këtij muaji u ul me 8.3 për qind. Po kështu, edhe indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 1.0 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit u rrit me 2.0 për qind. Gjatë nëntorit çmimet e veshjeve dhe këpucëve u rritën, indeks ky 0.1 për qind më i lartë. Shtrenjtim i karburantit ishte një prej faktorëve që dolli edhe rritje krahasuar me muajin e mëparshëm, për indeksin e grupit “Transport”, i cili u rrit me 0.6 për qind. Kështu, çmimi i naftës u rrit me 2.5 për qind dhe çmimi i benzinës u rrit me 1.4 për qind. Gjithashtu, shtrenjtim kanë pësuar shpenzimet për shkollën, gjë që është reflektuar në rritje të indeksit të grupit “shërbimi arsimor” me 1.0 për qind, ku përmendet rritja e tarifave të pagesës në universitete me 2.1 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›