E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja e dytë ligjore e Aldo Bares

10/12/2009  Alfred Shkurti kërkon të largohet Fatmira Hajdari nga drejtimi i seancës

Bashkëshortja e Azem Hajdarit do të kërkojë të mos kryesojë gjyqin

TIRANË-Avokati i të pandehurit Aldo Bare i quajtur Alfred Shkurti, depozitoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda kërkesën për largimin e gjyqtares Fatmira Hajdari nga gjykimi i çështjes. Hajdari është caktuar nga KLD të drejtori procesin kundër Alfred Shkurtit. Por kjo gjyqtare nuk ka qenë e preferuara e Bares. Sipas një arsyetimi që bëri dje në proces, avokati Vladimir Meçi tha se kjo gjyqtare është bashkëshortja e Azem Hajdarit, i cili ka bërë shumë komente për Aldo Baren. Seanca për shqyrtimin e kërkesës lidhur me afatet e paraburgimit zgjati vetëm dhjetë minuta. Në këtë seancë, avokati Vladimir Meçi u shpreh se Fatmira Hajdari duhet të largohet nga drejtimi i seancës. Ndërsa ka qenë i pranishëm edhe vet Aldo Bare. Pas depozitimit të kërkesës seanca është mbyllur për t’i dhënë kohë një tjetër trupi gjykues të vendos për të. Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit si kreu i Bandës së Lushnjës zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pak ditë më parë Fatmira Hajdari u caktua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për të drejtuar këtë proces, pas vendimit të këtij institucioni për të pezulluar nga detyra gjyqtaren dhe hequr imunitetin e Marsela Balilit. Marsela Balili ka qenë gjyqtarja që gjykonte Bandën e Lushnjës. Ndërkohë që ajo u pezullua me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për t’i hapur rrugë një hetimi. Edhe vetë gjyqtarja Hajdari është shprehur se do të paraqiste kërkesë për të mos kryesuar këto seanca gjyqësore. Sakaq është hera e parë pas ekstradimit të tij nga Turqia që Aldo Bare bën një kërkesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ndërkohë që emri i tij ka qëndruar në të gjitha dosjet dhe vazhdon të qëndroi si njeri, i cili ka drejtuar organizatën më të rrezikshme në vend. Aldo Bare akuzohet për mbi 20 vrasje, krijimi i organizatës kriminale, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, dhe kryerje të veprave të tjera penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Ai u ekstradua nga Turqia më 25 nëntor të këtij viti. Ka mbi shpin edhe një vepër tejet të rëndë. Dhunimi i trupit të Artur Dajës pas vrasjes. Aldo Bare tani kërkon shfuqizimin e vendimit të dhënë nga Krimet e Rënda për masën e sigurimit.

Përpjekjet e Bares për të mos përfunduar tek Krimet e Rënda

Një arrati e zgjuar larg hekurave

Historiku i shmangieve të drejtësisë nga ana e kapos

Ndërsa përflitej në të gjitha seancat gjyqësore të hapura ndaj tij dhe pjesëtarëve të organizatës, deri më 25 mars të vitit 2006, kur u arrestua në Turqi, për Aldo Baren informacioni ishte tejet i rezervuar. Ushtarët e tij dënoheshin nga gjykata, të tjerë ndodheshin të fshehur, ndërsa ai vet jetonte në arrati. Më 25 mars 2006, për Aldo Baren filloi një tjetër kapitull. Menjëherë pas kësaj date, pra më datë 26 mars 2006, Gjykata për Krime të Rënda Tiranë nis procedurat për ekstradimin. Në këtë datë vendoset edhe masa e sigurimit me burg, për t’u përdorur për qëllime të ekstradimit. Por kjo ishte nga ana e drejtësisë shqiptare. Vet Bare filloi të vepronte për të përfituar të drejtën e azilit në Turqi. Beteja e parë e tij ishte me Gjykatën e Shkallës së parë në Ankara. Ai kërkoi mosekstradim dhe dhënien e të drejtës për Azil. Pas vendimit negativ të kësaj gjykate, kërkesa e dytë ishte në Apel. Edhe Apeli në Ankara nuk e miratoi kërkesën e Bares për të mosekstraduar. Ndërkohë që atij i mbeti edhe një shans, Gjykata e Lartë e Turqisë. Vendimi zgjati jo shumë. Gjatë kësaj periudhe, Aldo Bare kishte përgatitur edhe dokumentet për të fituar azilin politik. Por kjo kërkesë nuk iu plotësua. Për të ardhur më pas në vendimin që mori Gjykata e Lartë e Turqisë për ta ekstraduar. Gjatë kohës që ndodhej në paraburgim në Ankara, Bare përgatiti një letër, të cilën e drejtoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ai njoftoi me këtë letër se nuk dëshironte të gjykohej nga drejtësia shqiptare. Por nga ana tjetër Baren e kërkonte edhe Italia. Në Shqipëri, Aldo Bare akuzohej si drejtuesi i një prej bandave më të përgjakshme, ndërsa pala italiane e akuzonte se përmes telefonatave nga Turqia, Italia dhe Rumania ku lëvizte vazhdimisht, ka drejtuar trafikun e heroinës dhe kokainës, ku në emër të tij vepronte krahu i djathtë, Enver Dondollaku. Gjatë kësaj kohe dosja e Bandës së Lushnjës u rihap, ndërsa hetimet zbardhën disa prej krimeve, të cilat u dërguan për shqyrtim në gjykatë.

Akuzat ndaj Bares

Në dosjen e dërguar para togave të zeza të Krimeve të Rënda, Aldo Bare, akuzohet për kryerjen e krimeve të "vrasjes me paramendim, më shumë se një herë"; "shkatërrim të pronës me zjarr"; "vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë"; "dhunim të varreve"; "vjedhje me dhunë në bashkëpunim" dhe "krijim të organizatave kriminale dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të kësaj organizate". Gjykimi i Alfred Shkurtit për këto akuza u pezullua që në fillim të procesit, pasi gjykata kërkoi njoftimin e të pandehurit. Tashmë ai do të përballet me drejtësinë.

Tentativa e parë

Më datë 25 nëntor Aldo Bare sillet pa paralajmërim me një avion çarter në Rinas. I lidhur me zinxhir këmbë e duar, Bare shoqërohet në paraburgimin 313-të. Por nuk zgjati as një javë nga kjo procedurë që Bare të bënte kërkesën e parë për të shuar masën e sigurimit “arrest me burg” dhënë nga Krimet e Rënda. Sipas avokatit mbrojtës, Vladimir Meçi, gjykata ka vendosur masën e arrestit për klientin e tij më datë 26 mars 2006, një ditë pas arrestimit të tij në Turqi. Masa është vendosur në mungesë. Pikërisht këtë detaj ka shfrytëzuar avokati për ta quajtur masën e dhënë të kundërligjshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›