E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxhet i veçantë për arsimimin, punësimin e strehimin

10/12/2009  Plani Kombëtar i Veprimit për Romët 2010-2015

Projektet do të realizohen së bashku me donatorët e huaj

Përcaktohen fushat konkrete të ndërhyrjes që do të realizohen për integrimin dhe përfshirjen e komunitetit rom në jetën sociale të vendit. Për këtë gjatë ditës së djeshme ministri i Punës, Spiro Ksera, ka mbledhur në një takim përfaqësuesit donatorë të KE-së, OSBE-së, PNUD-it, UNICEF-it, SOROS, që do të bashkëpunojnë në realizimin e këtyre projekteve për 5 vjetët e ardhshëm. Plani Kombëtar i Veprimit për Romët synon përmirësimin e gjendjes socialekonomike dhe përfshirjen sociale të minoritetit rom në arsim, punësim, shëndetësi, strehim. Ministri Ksera ka pohuar se “ne tashmë kemi hartuar dhe jemi gati për zbatimin e një plani kombëtar veprimi për vitet 2010-2015, në objektivat e të cilit janë rritja e pjesëmarrjes dhe frekuentimit të arsimit, zhvillimi i trashëgimisë kulturore, rritja e aksesit në formimin profesional, punësim, skemat e mbrojtjes sociale, shërbimi shëndetësor, përmirësimin e kushteve të strehimit dhe infrastrukturës, parandalimi i diskriminimit social dhe institucional të anëtareve të komunitetit rom”. Për realizimin e këtyre objektivave për çdo fushë është parashikuar buxheti i nevojshëm, që do të sigurohet nga buxheti i shtetit në bashkëpunim me organizatat donatore. Sipas vlerësimit të bërë nga ekspertët e të gjitha fushave, buxheti në total për Planin e Veprimit llogaritet në 2 miliardë e 498 milionë lekë, ndërsa buxheti vjetor në 417 milionë lekë. Përfaqësuesit e donatorëve kanë pohuar se do të ofrojnë mbështetje konkrete në fusha të tilla të rëndësishme, si: financimi dhe bashkëfinancimi i projekteve që lidhen me hapjen e minipunishteve apo ndërmarrjeve të rrobaqepësisë, ku mund të punësohen një numër i konsiderueshëm nga komuniteti rom, mbështetje e zanatçinjve nëpërmjet pajisjes së tyre me vegla pune, hapjen e qendrave ditore për komunitetin rom, brenda të cilave të funksionojnë klasa të integruara për të eliminuar analfabetizmin mes radhëve të këtij komuniteti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›