Festat, policia bashkiake dhe e rendit masa antitrafik

Për të përballuar trafikun e rënduar në prag të festave të fundvitit policia bashkiake në bashkëpunim me policinë e shtetit ka nisur sot një aksion për të mos lejuar më parkime në rrugët hyrëse dhe dalëse të kryeqytetit. Aksioni ka nisur mëngjesin e sotëm tek Dogana ku policia bashkiake ka zhvendosur automjetet në hyrje-daljet e kryeqytetit duke vendosur edhe një sinjalistikë të re.
Gjithashtu dy policitë, ajo bashkiake dhe e shtetit nuk kanë lejuar që automjetet të parkohen në rrugët hyrëse dhe dalëse të unazës ndërsa janë vendosur edhe gjoba ndaj makinave që kryejnë aktivitet të palicensuara.
Shtimi i numrit të automjeteve për shkak të ardhjes së emigrantëve për të festuar festat e fundvitit çdo vit ka sjellë edhe trafik të rënduar në rrugët e kryeqytetit. Për të përballuar këtë periudhë problematike është vendosur që të kryhen shërbime shtesë, të shtohet numri i uniformave blu që do të patrullojnë në qytet, do të vendosen punonjës të qarkullimit rrugor në vende me trafik të dendur.
Është vendosur që të bashkëpunohet me Policinë e Rendit, Policinë Bashkiake dhe shërbime të tjera të policisë, për t`i ardhur në ndihmë sektorit të Qarkullimit.