E Diel, 1 Nëntor 2026

Festat vijnë me rritje çmimesh, qytetarët në dilemë për të shpenzuar



Ervin KOÇI

Të thuash në Shqipëri që çmimet rriten sa herë në festat e fundvitit, nuk ke thënë asgjë të re. Tani e vetmja gjë që mund të habisë konsumatorin mund të jetë që, çmimet nuk janë rritur, ose akoma më shumë nëse ndonjë produkt pëson ulje. Afrimi i festave ndryshe nga shumë vende të botës, në Shqipëri vjen me rritje të ndjeshme të çmimeve sidomos të produkteve ushqimore. Në shtetet evropiane, festat vijnë bashkë me ulje çmimesh, ndërsa në vendin tonë festimet vijnë bashkë me pamundësinë për t’i festuar ato siç duhet. Si çdo vit, në prag të festave të fundvitit, luhatja e çmimeve të produkteve të konsumit ushqimor është e paevitueshme. Çmimet e fruta-perimeve dhe produkteve të tjera ushqimore, kanë pësuar rritje ditët e fundit, dhe kjo me daljen nga tregu i prodhimit vendas dhe zëvendësimit me produktet e importit. Disa nga artikujt si fruta-perimet, kanë pësuar një rritje me 50 lekë. Për konsumatorët blerja e këtyre prodhimeve gjatë këtij sezoni po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Qytetarët të pyetur për çmimet, thonë se ato kanë pësuar rritje të ndjeshme dhe shumë produkte do t’i mungojnë tavolinës së tyre për festa, pasi çmimet janë rritur me afro 30-50 lekë për produkt. Tregtarët e hedhin fajin tek njëri-tjetri nga ata të shumicës tek të pakicës, lidhur me çmimet. Kështu tregtarët e pakicës thonë se rrija është bërë nga ata të shumicës dhe këta të fundit thonë se, janë rritur çmimet në tregun ndërkombëtar.

Çmimet e shtrenjta
Shqipëria i ka çmimet më të larta se fqinjët e saj edhe për pijet alkoolike dhe ato joalkoolike. Madje sipas EUROSTAT, shqiptarët i paguajnë këta produkte gati njëlloj sa konsumatorët e Bashkimit Europian, që i kanë të ardhura 4 herë më të larta. Vaji dhe produktet e tjera të ngjashme me të, shiten në tregun shqiptar me një çmim sa 93 për qind e mesatares të Bashkimit Europian, kur konsumatorët e vendeve fqinje paguajnë për këtë produkt dukshëm më pak. E njëjta tendencë është edhe për mishin apo dhe bulmetrat. I vetmi produkt ku Shqipëria ka çmimet më të ulëta se rajoni është duhani, i cili shitet me një çmim sa 30 për qind e mesatares së BE-së. Ndërsa për të gjitha produktet e tjera më të domosdoshme, shqiptarët paguajnë çmime më të larta se sa fqinjët e tyre, edhe pse sipas EUROSTAT i kanë të ardhurat më të ulëtat në rajon vetëm sa 27 për qind e BE-së.

Ushqimet
Ushqimet janë grupi i dytë i mallrave që Shqipëria merr më shumë nga importi me një vlerë prej rreth 670 milionë dollarë. Edhe pse sipas Ministrisë së Bujqësisë, importet e ushqimeve përbëjnë vetëm 30 për qind të konsumit në vend, ekspertët thonë se ato janë faktori kyç që përcakton çmimin në tregun e brendshëm. Kjo pasi prodhimi vendas në pjesën dërrmuese të tij shkon për vet-konsum dhe nuk del fare në treg. Vitet e fundit, çdo rritje e çmimit të ushqimeve në tregjet e huaja është përcjellë menjëherë në tregun e brendshëm, siç tregoi kriza e vitit 2008, por edhe rritja e papritur e drithërave gjatë kësaj vere. Pas krizës së vitit 2008, çmimet e ushqimeve në botë ishin në fillim të këtij viti sipas Bankës Botërore, 25 për qind më të ulëta. Por për të njëjtën periudhë, në tregun e brendshëm, sipas INSTAT-it, ato jo vetëm që nuk kishin rënë, por përkundrazi ishin shtrenjtuar me 16 për qind, duke shtuar dyshimet për një treg i cili në jo pak raste është parë si i kontrolluar nga kompani të caktuara.

Tregjet
Në të gjitha tregjet e Tiranës paraqiten probleme nga më të ndryshmet, por që në të shumtën e rasteve vihet re mungesë e kushteve higjieno-sanitare. Për shumë qytetarë këto tregje përbëjnë problem shqetësues, ndaj ata kanë dërguar ankesat e tyre në Shoqatën e Konsumatorëve Shqiptarë. Por, deri tani, nga autoritetet përkatëse nuk është ndërmarrë asnjë masë që do të përmirësonte kushtet e higjienës, por edhe t’i mbronte konsumatorët nga rreziqet e ndryshme që mund të shfaqin nga konsumi i produkteve që shiten në këto tregje.

Rritet çmimi i gazit, shkak ulja e temperaturave

Ulja e temperaturave ka ndikuar në rritjen e çmimit të gazit. Një litër gaz është rritur me rreth 150 lekë dhe një bombol gazi 10 litërshe nga 1200 lekë tashmë kushton 1600 lekë.
Qytetarët shprehen se e kanë mjaft të vështirë që të përballojnë këto çmime por gjithsesi gazi mbetet edhe e vetmja mundësi përdorimi për të gatuar dhe për t`u ngrohur. Nuk mungojnë edhe ata qytetarë të cilët shprehen se tashmë kanë filluar që të përdorin drutë. Qytetarët shprehen gjithashtu se edhe cilësia e gazit shpesh herë është mjaft e keqe e megjithatë mbetet ende mënyra më e përdorur prej shqiptarëve për ngrohje dhe për gatim.

Kasat fiskale, 11 ditë afat për ti vendosur, më pas nisin gjobat

Tregtarët vazhdojnë të ankohen për çmimin e kasave fiskale, ndonëse qeveria ka përcaktuar tani afatin përfundimtar të vendosjes së tyre. Çdo biznes i pa pajisur me kasë fiskale ka edhe 11 ditë kohë për ta instaluar atë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka vendosur fundin e vitit si afat përfundimtar brenda të cilit tatimpaguesit duhet të lëshojnë kuponin tatimor për çdo pagese me para në dorë. Në rast të kundërt për çdo subjekt të pa pajisur me kasë do të aplikohen gjobat. Por si paraqitet situata në Tiranë? Shumë biznese ende nuk janë pajisur me kasë fiskale. Tregtarët shprehen për pamundësinë e blerjes se kësaj pajisje, pasi çmimi sipas tyre është tepër i lartë. Por ka dhe nga ata biznesmenë të cilët pavarësisht tarifave e kanë instaluara kasën fiskale dhe tashmë presin rimbursimin e qeverisë për paratë e shpenzuara. Sipas vendimit të qeverisë, çdo biznesi do t’i zbriten nga shuma totale që ka paguar për taksat vendore deri në 44 mijë lekë në formë rimbursimi për pajisjen me kasë fiskale.

Gjysma e 2010, xhiro e ndërtimit bie me 15%

Xhiro e sektorit të ndërtimit në 3-mujorin e dytë të vitit 2010 shënoi një rënie vjetore me 15.5%. Të dhënat e Institutit të Statistikave konfirmojnë edhe njëherë gjendjen e vështirë të ndërtimit, që për dy 3-mujorët e parë të vitit ka pësuar rënie të të ardhurave. Shifrat tregojnë se pas tre vjetësh në vlera pozitive, të shoqëruara madje edhe me rritje mjaft të larta, sidomos për shkak të investimeve publike, këtë vit ndërtimi e ka humbur shkëlqimin. Sipas INSTAT-it, volumi i punimeve civile inxhinierike është ulur 45% krahasuar me 3-mujorin e dytë 2009, ndërkohë që numri i të punësuarve në ndërtim është ulur me 1.1%. Pasojat e krizës ekonomike duket se janë shtrirë edhe në sektorë të tjerë historikisht të suksesshëm të ekonomisë, si telekomunikacionet. Statistikat e INSTAT-it tregojnë se xhiro në sektorin e telekomunikacioneve për 3-mujorin e dytë të vitit 2010 ka rënë me 2.2% krahasuar me një vit më parë. Është hera e parë që nga viti 2006 që ky sektor pëson rënie tremujore. Me gjithë rënien e shifrës së afarizmit, numri i të punësuarve në sektorin e komunikacioneve është rritur me 12.8%.

21 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›