E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbivlerësimi i euros, ekonomia fillon të ndjejë pasojat e para negative



Ervin KOÇI

Problemeve të mbartura nga kriza e dy viteve të fundit në ekonominë shqiptare, këtë fundvit po i shtohet edhe mbiçmimi i monedhës së përbashkët evropiane. Ndikimi i një euroje të shtrenjtë në tregun vendas, ka ardhur i shoqëruar me pasoja zinxhir në ekonomi ku më mirë se kudo ndjehet nga xhepat e konsumatorëve. Hyrja në fuqi e vendimit për liberalizimin e vizave ka sjellë forcim të ndjeshëm të euros ndaj lekut në tregjet e këmbimit valutor në vendin tonë. Në agjencitë valutore, euro blihet me 139 lekë ndërsa shitet me 139.5 lekë, duke iu afruar kuotës së 140 lekëve, niveli më i lartë prej mëse 2 vjetësh. Dollari është këmbyer me 104.8 lekë në blerje dhe me 105.4 lekë në shitje. Ekspertët vlerësojnë se, përveçse ky është një element i importuar nga bursat ndërkombëtare, shkak tjetër është edhe kërkesa e lartë nga qytetarët që tashmë kanë nisur të udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian, duke rritur ndjeshëm blerjen e valutës së BE-së në tregun vendas, e për pasojë edhe çmimin e saj.

Ekspertët
Ekspertë të njohur të ekonomisë vlerësojnë se liberalizimi i vizave do të sjellë një lëvizje ekonomike më të gjerë mes biznesit shqiptar dhe atij evropian. Por liberalizimi i vizave me BE-në ka sjellë edhe një rritje të vlerësimit ose më mirë një mbivlerësim të monedhës evropiane, euros. Eksperti i ekonomisë Prof. Ardian Civici, ka sqaruar dje në media për publikun, se efektet e vlerësimit të euros priten që të ndihen në fillim të vitit të ardhshëm. E kjo, pasi ekonomia jonë është e lidhur me Eurozonën. Civici tha më tej se, “liberalizimi i vizave do të sjellë një lëvizje ekonomike më të gjerë mes biznesit shqiptar dhe atij evropian”. Eksperti i ekonomisë, shtoi ndër të tjera se bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe vendeve evropiane, bën që klima e ekonomisë në këto vende të japë efektet e saj dhe mbi ekonominë shqiptare. Lidhur me situatën më të fundit të ekonomisë shqiptare, ekonomisti i njohur tha se, financimi në Shqipëri bëhet kryesisht nga bankat dhe se këto të fundit, duhet të kenë kujdes nga kreditorët e këqij, pasi paraqet ende problem dhënia e kredive. Duke shtuar se megjithëse ekonomia shqiptare ka pësuar rritje, përsa i përket inovacionit, jemi ndër të fundit.

Emigrantët
Leku pritet të forcohet ndaj euros në ditët e fundit të vitit 2010. Ekspertët e këmbimit valutor besojnë se edhe këtë vit efekti sezonal i kthimit të emigrantëve për festa do të ndikojë ndjeshëm në kursin e këmbimit. “Liberalizimi i vizave nuk pritet të japë ndikim të mëtejshëm në kursin e këmbimit valutor”,-kanë qetësuar ata. Agjentët e tregut janë të mendimit se, njerëzit që kanë planifikuar të udhëtojnë jashtë e kanë siguruar valutën e nevojshme dhe nuk pritet që kjo kategori të peshojë në balancat e kursit të këmbimit këtë fundviti. Sipas ekspertëve, euro gjendet në sasi të mjaftueshme në tregun e brendshëm dhe nuk ka arsye për të pritur vlerësim të mëtejshëm të monedhës europiane. Përkundrazi, edhe në muajt e parë të vitit 2011 është më i pritshëm një forcim i monedhës vendase dhe një rënie e euros poshtë vlerës së 138 lekëve.

OST: Punime në linjën Tiranë-Podgoricë, kufizime energjie në jug të vendit

Zonat në jug të vendit do të përballen me kufizime të energjisë elektrike për shkak të punimeve që po kryen në linjën 400 kv të interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë. Drejtori i Përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Sokol Ramadani, deklaron se kjo linjë do të përfundojë së shpejti dhe është vepër e rëndësishme, pasi rrit kapacitetet transmetuese të energjisë të vendit tonë. “Po punojmë në 2 linja që furnizojnë jugun e Shqipërisë duke filluar nga Durrësi e poshtë, ishim të detyruar të bënim kufizime që do të zgjasin vetëm 2 ditë deri në përfundimin e punimeve”,- theksoi Ramadani. Krahas linjës së interkonjeksionit me Malin e Zi, Shqipëria do të investojë në ndërtimin e linjave të tilla edhe me Kosovën dhe Italinë, në mënyrë që jo vetëm të rriten kapacitetet transmetuese të energjisë, por edhe të bëhet integrimi i rrjetit energjetik shqiptar me atë europian. Ndërtimi i linjave të interkonjeksionit do ti japë mundësi Shqipërisë që të importojë dhe të eksportojë një sasi më të madhe energjie. Kapacitetet aktuale të transmetimit mbeten të kufizuara, një situatë që pritet të përmirësohet me vënien në funksionim të linjës së interkonjeksionit me Podgoricën.

Gjirokastër, biznesmenët në protestë ndaj mungesës së energjisë

Rreth 200 biznesmenë të Gjirokastrës, ashtu siç kishin paralajmëruar, kanë protestuar dje në ambientet e nënstacionit elektrik për mungesën e vazhdueshme të energjisë elektrike. Biznesmenët të irrituar, e kanë quajtur veten të diskriminuar dhe të destinuar të falimentojnë, si shkak i mungesës së energjisë elektrike që prej orëve të para të mëngjesit deri në orët e vona në mbrëmje, për gati 5 deri ne 10 orë mungesë energjie çdo ditë. Ata kërkuan reagimin e ministrave dhe deputetëve të zonës, por edhe prefektes për të marrë masa, në të kundërt nuk do të mbajnë përgjegjësi për reagimet e tyre, pasi po luhet me investimet e tyre që ata thonë se i kanë arritur me mund. Biznesmenët e quajnë diskriminim faktin që qyteti furnizohet normalisht me energji elektrike, ndërsa zona industriale dhe komplet komunat përreth kanë mungesë të energjisë prej orës 07:00 deri në orën 18:00 çdo ditë. Kjo protestë ka bërë që punonjësit e nënstacionit të stakonin energjinë elektrike duke lënë edhe qytetin në errësirë. Sipas tyre, ky veprim ka ardhur pasi kërkesat e tyre po bien në vesh të shurdhët dhe askush nuk po reagon.

Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.24 %
1Ë njëjavor 3.53 %
1M 1-mujor 4.75 %
3M 3-mujor 5.08 %
6M 6-mujor 5.97 %
12M 12-mujor 6.51 %
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
o/n njëditor 5.09 %
1Ë njëjavor 5.67 %
1M 1-mujor 6.46 %
3M 3-mujor 6.83 %
6M 6-mujor 7.27 %
12M 12-mujor 8.00 %

21 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›