Festë birre gjermane edhe në Tiranë
“Tetori Gjerman 2011 solli edhe Festën e Birrës. Pas festimit në Korçë, radha i erdhi Tiranës. Në një restorant të pazakontë prej një mijë vendesh siç është Te Stela dhe ku gotën e birrës mund ta mbushësh vetë në tavolinë. Në një festë ku pihet birrë dhe vetëm birrë. Dhe birrë gjermane dyqindvjeçare Veltins nga qyteti Sauerland, ku dikur minatorët, për tu pastruar nga pluhurat e nëntokës përdornin pikërisht birrën. Një gyp me birrë nëpër tavolina në këtë ditë u dha falas nga birra jonë dhe kompleksi ynë, tregon Jurgen Pateqi, zv/administrator i restorantit të kompleksit.
Festat e birrës kanë traditë në Gjermani, sidomos në Mynih. Që nga viti 1516 në Gjermani u dha urdhëresa e pastërtisë në prodhimin e birrës së mirëfilltë, e cila duhet të prodhohet prej ujit, majasë dhe maltos, u shpreh ambasadorja gjermane në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper, në hapjen e festës. Urime pasuese në gjermanisht dhe shqip me gota nëpër duar! Haj!, Danke! apo Gëzuar!
Nga ora pesë e mbasdites e deri pas mesnate një program që nisi me kërcime bavareze, Bavarian Dance Show, i ndarë në tre pjesë. Muzikë live me këngë tradicionale gjermane, nga grupi gjerman Gandiblosn Band, kombinuar me muzikë të përbotshme, duke shpërthyer në një party me kërcime që tejmbushi pistën. Edhe një garë mashkullore se kush pi më shpejt një gotë të madhe me birrë apo një lotari me bileta dhe dhurata si; dy ditë në Vjenë, dy ditë në Dubrovnik, 100 euro falas për shoping tek Puma-shop apo artikuj kozmetikë falas tek Rossman etj. Çfarë mund të mbetej nga shitja e biletave do të dërgohet për Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë. Dhe në fund, muzikë shqiptare dhe pop dance nga bota. Gjithë ky ritual festiv u ripërsërit për dy mbrëmje rresht dhe për të dytin vit radhazi edhe në Shqipëri.
Të ftuarit
Një ambient që bëri bashkë shumë gjermanë që jetojnë dhe punojnë në Tiranë. Përfaqësues institucionesh apo biznesesh gjermane, më të rëndësishmet në vend. Drejtues të TIA-Tirana International Airport Nënë Tereza, Raiffaisen Bank, kompanisë ajrore Austrian Airlines, edhe disa nga sponsorizuesit e aktivitetit. E në këtë festë, të veshur me veshje tradicionale gjermane. Veç ambasadores gjermane, Carola Müller-Holtkemper, i ftuar ishte edhe ambasadori i OSBE në Tiranë, Eugen Wollfarth, një nga më aktivët në kërcime gjatë gjithë mbrëmjes. Më pëlqen birra dhe vera, por e shumta një gotë pi, shprehet duke bërë Gëzuar! nga tavolina.
Menuja e Festës së Birrës:
Ishte konceptuar natyrshëm me pjata tipike gjermane: bukë tradicionale gjermane Brezel, sallatë gjermane me patate, mix salçiçe, kofshë giçi e tymosur me erëza, pulë në hell, por edhe mish kanguri me salcë, e shoqëruar me birrë të zezë. Dhe gota të panumërta birre.
Historia e birrës
Birra është pija alkoolike më e vjetër dhe më e njohur në botë. Provat më të lashta për ekzistencën e birrës mendohet të jenë rreth më se 6 000 vjet dhe përshkruhen nga sumerët, populli i parë në botë, që mund të cilësohet “i qytetëruar”, me gjuhën, fenë, kulturën dhe shkrimin e tyre në formë kunji. Sumerët banonin në pjesën jugore të Mesopotamisë (sot Iraku i juglindjes), rreth viteve 4 000 p.k. Sumerët e zbuluan rastësisht procesin e fermentimit, ndoshta nga një copë bukë që u lag dhe u harrua. Pas pak kohe ajo filloi të fermentohet me ndihmën e disa bakterieve të ajrit, duke u kthyer në një masë alkoolike. Sumerët ishim mjaft të zgjuar. Ata e kuptuan këtë proces dhe e kopjuan, duke u bërë kështu populli i parë në botë që prodhoi birrën, si ofertë për perënditë e tyre.
Prodhimi i birrës
Përbërësit e birrës janë uji, majaja e birrës, e cila përmban mikroorganizma që shërbejnë sheqerin e maltës (lloj substance e marrë nga elbi), lupo që është një bimë barishtore njëvjeçare nga e cila përftohet një lëndë e hidhur që quhet lupulinë si dhe vajrat etilikë. Malto është një lloj substance, e cila merret nga elbi. Fazat e prodhimit të maltës janë;
a) njohja e elbit
b) temperimi
c) mbirja
d) tharja
Si fillim merret fara e elbit, njomet me ujë dhe pastaj në kushte të përshtatshme temperature arrihet që të bëhet mbirja e saj. Pas mbirjes dhe zhvillimit në fazën e pjekjes ajo thahet nga ku merret embrioni i farës dhe i nënshtrohet një sërë proceseve të tjera, produkt i së cilës del një lëndë që quhet maltë. Pikërisht kjo maltë që përftohet trajtohet me ujë dhe njëkohësisht zihet. Pas zierjes hedhim në lëndën e përftuar lupon dhe majanë e birrës, e cila bën të mundur fermentimin e kësaj lënde. Lënda që përftohet pas këtij fermentimi është pikërisht birra. Ajo zihet në një temperaturë që varion nga 60-70 gradë C me qëllim që lëngu të mos prishet dhe njëkohësisht të çaktivizohen gjithë enzimat, të cilat janë të dëmshme për trupin e njeriut.
