E Diel, 1 Nëntor 2026

Festimet, dyndet Tirana – mijëra qytetarë mbushin rrugët e kryeqytetit

28-11-2012 / Gazeta 55

Tirana është zgjuar sot me atmosferën festive të 100 vjetorit të Pavarësisë. Mijëra qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme dhe trojet shqiptare jashtë kufijve, i kanë dhënë kryeqytetit një pamje tjetër nga ajo që jemi mësuar të shohim zakonisht. Sikurse nuk mungojnë as aktivitetet kulturore dhe festive të organizuara nga Bashkia e Tiranës, në nderim të Ditës së Flamurit. Nisur nga rëndësia e kësaj dite, 100 vjetorit të Pavarësisë, Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për t’i ofruar qytetarëve të gjitha mundësitë e një dite të mbushur me larmishmëri dhe gëzim. Në një njoftim të policisë së Tiranë theksohet se do të ketë devijim të qarkullimit të automjeteve për shkak të festimeve që organizohen sot në kryeqytet.


Ceremonitë festive në Tiranë


Tirana vlonte sot nga aktivitete të larmishme, për 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar.  Gjatë ditës, qytetarët që tejmbushën si kurrë më parë rrugët e Tiranës, kanë parë nga afër në rrugën “Murat Toptani”, panairin “Blej Produkte Shqiptare”, kanë shijuar koncerte me këngëtarët më të mirë të muzikës së lehtë dhe popullore. Përpara Galerisë së Arteve, të shumtë kanë qenë ata që kanë vizituar ekspozitën “100 vjet Tirana”, ndërsa aktivitetet në lulishten tek parku “Rinia” i ishin dedikuar tërësisht fëmijëve. Telajo për pikturën me temë, “100 vjet Pavarësi – Shqipëria ime”, koncert për fëmijë, teatër për fëmijë, animatorë, foto-point me personazhe të Pavarësisë ishin disa nga aktivitetet e organizuara, që nga ora 10 e paradites së sotme. Po kështu tek lulishtja “Tre Vëllezërit Frashëri”, Akademia e Hollivudit, Liceu Artistik, Shkolla e Baletit kanë performuar për të rinjtë. Cirku i Tiranës dha shfaqje pranë urës tek rruga, “Ibrahim Rugova”. Në rrugën “Ismail Qemali”, qytetarët patën mundësi të ndiqnin ekspozitë pikture, telajo, teatër rruge, performanca me vegla muzikore nga Akademia e Arteve dhe Teatri i Metropolit. Përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, qindra qytetarë kanë bërë foto me personazhe historike, ndërsa rreth 100 animatorë të veshur me veshje popullore e personazhe të lidhur me festën, kanë shpërndarë flamurë të vegjël dhe organizuar lojra. Në mesditë, në sheshin “Skënderbej” zbritën parashutistët e “Red Bull”, me flamurin kombëtar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›