E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNESCO mbështet Shqipërinë në rrugën e zhvillimit

28-11-2012 / Gazeta 55

“UNESCO mbështet përpjekjet e Shqipërisë për arritjen e objektivave të saj në rrugën e zhvillimit”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e urimit që Drejtorja e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova i drejtoi popullit shqiptar në 100-vjetorin e Pavarësisë. “Që nga viti 1958, kur Shqipëria iu bashkua UNESCO-s, ne kemi punuar së bashku për të thelluar bashkëpunimin global në fushën e edukimit, kulturës, shkencës dhe komunikimit, si mënyra për të hedhur themelet e kulturës së paqes mes shteteve dhe shoqërive të tyre”.
“Shekulli i shkuar e pa popullin shqiptar të përballet dhe të kapërcejë shumë sfida. Rezultati i sotëm është një vend që qëndron në zemër të Evropës, i hapur ndaj botës dhe me një zë që dëgjohet në bashkësinë ndërkombëtare. Shqipëria i qëndron besnike bindjes se të drejtat e njeriut duhet të jenë pikënisja për qeverisje demokratike dhe se zhvillimi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm”, thuhet në mesazh.
“Transformimet e Shqipërisë kanë kontribuar në ndryshimet e gjera pozitive të Evropës. Arritjet e saj impresionuese mbartin dëshminë e angazhimit të shoqërisë së saj për të promovuar dinjitetin njerëzor dhe të drejtat për solidaritet dhe drejtësi”, citohet mesazhi.
“Shqipëria, vijon ai, ka qenë gjithmonë një ndër përkrahësit më të mëdhenj të UNESCO-s. Bashkëpunimi ynë është afatgjatë dhe ngrihet mbi besimin e përbashkët për nevojën e përqasjeve më gjithëpërfshirëse, më të drejta dhe më të qëndrueshme ndaj zhvillimit si baza për paqe të gjatë”.
Më tej mesazhi vlerëson se Shqipëria është një ndër vendet pilot dhe të suksesshme të Programit “Një OKB”, shembull ky i marrjes përsipër në nivel kombëtar i politikave të zhvillimit në mënyrë efektive. “Bashkëpunimi ynë ka mbledhur së bashku lidershipin aktiv të Qeverisë shqiptare dhe të Komisionit Kombëtar shqiptar për UNESCO-s, si dhe komunitetet intelektuale, artistike dhe shkencore shqiptare. Angazhimi i Shqipërisë në takimet e nivelit të lartë vjetor të Krerëve të Shteteve të vendeve të Evropës Juglindore përcjell mesazhin e fuqishëm se kultura është një mjet për paqe dhe dialog dhe se ne duhet të ngremë ura të reja dialogu, respekti dhe mirëkuptimi të ndërsjellë ndërmjet të gjitha kulturave”, vijon mesazhi.
UNESCO ka rrënjë të thella në shoqërinë shqiptare dhe kjo na vendos ne në pozita të forta për të thelluar edhe më tej marrëdhëniet. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sot, në kohërat e ndryshimeve të shpejta globale, kur mandati i UNESCO-s nuk ka qenë kurrë kaq i rëndësishëm. Bazuar në përvojat tona të pasura, së bashku me Shqipërinë, UNESCO do të punojë për të formësuar një shekull më të paqtë e të drejtë. “Në këtë 100-vjetor të pavarësisë, më lejoni të përmend gjithashtu edhe diversitetin e mahnitshëm të Shqipërisë, territorit dhe kulturës së saj. Në poemën e tij Mall për Shqipërinë, Ismail Kadare ka shkruar për ‘qiellin e madh, të gjerë dhe të thellë’ të Shqipërisë, ‘për rendjen e kaltërt të dallgëve të Adriatikut, për retë e perëndimit që flakërojnë si kështjella dhe për alpet shqiptare flokëbardha e mjekërgjerbërta’”, përfundon mesazhin e saj Drejtorja e Përgjithshme e UNESCO-s.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›