E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festival me ushqim e pije

Për herë të parë në Prishtinë do të organizohet një festival i ushqimit dhe pijeve, ku nuk do të mungojnë edhe aktivitetet kulturore.

‘Food & Drink Fest’ është festival i ushqimit dhe pijeve i cili organizohet për herë të parë në Prishtinë, prej 29 deri më 31 tetor në Pallatin e Rinisë. Ky lloj i festivalit është tradicional në shumë vende të botës pasi që organizohet çdo vit. Në këtë festival marrin pjesë kompani prodhuese dhe distributore, përgatitës të ushqimit etj., qëllimi i të cilave është promovimi i produkteve apo shërbimeve të veta pranë vizitorëve, kur dihet fakti që vizitorët mund t’i shijojnë ato dhe t’i vlerësojnë aty për aty.

“Ne kemi vendosur që një ngjarje të tillë kulturore, të pa organizuar më herët tek ne, ta sjellim në vendin tonë. Qëllimi ynë është që gjatë ditës të mbizotërojë një ambient familjar, i cili do të sillte vizitorë familjarë. Për të arritur këtë, gjatë ditës do të organizohen aktivitete të ndryshme për fëmijë si: këndi i lodrave, koncerte ku do të këndojnë fëmijët, këndi i pikturimit ku piktorët do të pikturojnë në fytyrat e fëmijëve, etj. Poashtu festivali gjatë tërë ditës do të përcjellët me muzikë të përzgjedhur. Ndërsa, në mbrëmje festivali u dedikohet të rinjve dhe moshave madhore”, thuhet në një njoftim të dërguar nga kompania CEO – Congress & Event Organization, e cila është organizatore e këtij festivali.

Gjatë kohës sa do të mbahet festivali, çdo mbrëmje do të ketë koncert pranë Food & Drink Fest ku do të këndohet live nga grupe dhe këngëtarë të njohur si: Teuta Kurti, Offchestra, The Freelancers, Astrit Stafaj, Latino Band, etj. Gjithashtu, në këtë festival do të ketë edhe lojëra të ndryshme argëtuese për pjesëmarrësit. E veçantë është që, përveç pijeve alkoolike dhe jo alkoolike, në këtë festival do të promovohen dhe shiten edhe ushqime të ndryshme si djathëra, produkte nga mishi, ushqime tradicionale, etj. Gjatë ditës do të ketë performanca nga kuzhinierë të ndryshëm të cilët do të përgatitin ushqime të llojllojshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›