Paditet për ngordhje të fluturave

Artisti i njohur, Damien Hirst, sërish është bërë cak i sulmeve nga adhuruesit e kafshëve në Britaninë e Madhe.
Kësaj radhe Damien Hirst është paditur për shkak se Shoqata e Adhuruesve të Kafshëve në Britaninë e Madhe ka përllogaritur që, gjatë retrospektivës së tij në Tate Galery, në Londër, Hirst ka shkaktuar ngordhjen e qëllimshme të afro 9,000 fluturave, të cilat ishin pjesë e instalacionit të tij “In and Out of Love”.
Instalacioni i Hirst ishte ekspozuar në dy kthina të mëdha të Tate Galery, të cilat nuk kishin fare dritare, por ku vizitorët mund t’i shikonin fluturat e shumta që ishin pjesë e këtij instalacioni. Gjatë secilës javë të kohëzgjatjes së ekspozitës, Hirst në Tate Galery sillte nga 400 flutura të reja, për t’i zëvendësuar ato që ngordhnin në ndërkohë.