Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë, mbahet në Pogradec edicioni i 15-të me 50 filma ballkanikë

Ngriti siparin për vitin e 15-të radhazi Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë në qytetin e Pogradecit.
Përgjatë ditëve të festivalit, artdashësit do të kenë mundësinë të shijojnë 50 filma nga i gjithë Ballkani, të cilët do të shfaqen në dy ambiente të dedikuara dhe do të jenë falas për publikun.
Ideatorët dhe organizatorët, Eno Milkani dhe Gerta Qurku, ndanë emocionet e këtij rrugëtimi 15-vjeçar, duke e cilësuar festivalin jo vetëm një arritje kulturore, por edhe një traditë të çmuar për Pogradecin.
“Këtë vit ka pasur një prurje më të mirë dokumentarësh. Dokumentarët me sa duket janë bërë shumë trend për faktin që bëhen më kollaj se filmi i gjatë, kërkojnë më pak para për t’u realizuar. Megjithatë temat që propozojnë janë shumë interesante,” u shpreh z. Milkani.
“Ka qenë një rrugëtim goxha i gjatë. 15 vite nuk janë pak në jetën e një njeriu. Ndoshta janë pak as në jetën e një festivali dhe shpresojmë që ta ketë rrugën akoma edhe më të largët,” tha znj. Qurku.
Në natën e parë, pas shfaqjes së filmit nga Bullgaria, atmosfera u ndez nga performanca e Niki’Band. Solisti i grupit, Niki Zaimi, shprehu emocionet dhe privilegjin për të hapur këtë festival të rëndësishëm rajonal.
“Është nderi më i madh që unë të jem pjesë e hapjes së ceremonisë së Festivalit Ballkanik të Filmit. Është gjithmonë kënaqësi të luaj këtu në Pogradec, sepse gjithmonë ndihemi si në shtëpinë tonë,” tha këngëtari.
Për katër net me radhë, Pogradeci do të jetë sërish qendër e kinemasë ballkanike, ku mes filmave në konkurrim nuk do të mungojnë edhe krijimet shqiptare.
Gazetare: E. Xhindole
/rtsh.al/