E Hënë, 2 Nëntor 2026

Programet e vetëpunësimit në Gjirokastër, idetë më të mira do mbështeten me grant deri në 1 mln lekë

Në qarkun e Gjirokastrës po vihet re një interes i lartë nga qytetarët për të përfituar nga mbështetja përmes programit të Vetëpunësimit pranë zyrave të punës.

Për këtë vit, granti i mbështetjes ka pësuar rritje nga 500 mijë lekë në 1 milion lekë të rinj për të gjithë ata që duan të çelin një biznes.

“Thirrja për vetëpunësimin është hapur që më 1 shtator. Aplikimet vazhdojnë deri më 30 shtator. Interesi është shumë i lartë. Një nga arsyet kryesore është se këtë vit ka një ndryshim të madh, nga 500 mijë lekë të reja, financimi ka shkuar në 1 milion lekë të rinj. Është një mundësi shumë e mirë për ata që duan të hapin një biznes”, tha Marseda Xarba, drejtoreshë në Drejtorinë Rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit.

Punëkërkuesit e papunë, me një ide të qartë biznesi, do të trajnohen dhe mbështeten nga ekspertë të kualifikuar.

“Kryesisht bizneset që janë të interesuara janë mekanikë në pjesën e automjeteve, biznese në spektrin estetik. Ka shumë biznese, si rrobaqepësi, që duan të hapen”, theksoi Xarba.

Aplikimet kryhen online, në portalin e-Albania, për mbështetje përmes programit të Vetëpunësimit dhe do të jenë të hapura deri më datë 30 Shtator 2025.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›