E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali Ballkanik i Teatrit, për herë të parë artistët e 8 shteteve


Artistët e tetë shteteve të Ballkanit bashkohen në një festival në skenën e Teatrit Kombëtar të Tiranës.
Drejtori i festivalit të parë ballkanik të teatrit Profesionist Gëzim Kame dhe regjisori nga Prishtina Aqif Mulliqi shpalosën para gazetarëve risitë e ngjarjes një javore që do të pasurojë mbrëmjet e kryeqytetit me garën e shfaqjeve të zgjedhura nga regjisorët dhe aktorët e vendeve fqinje.

Festivali Ballkanik i Teatrit hapet mbrëmjen e parë të fillim shtatorit me shfaqjen e Pirandelos dhe regji te Mehmet Xhelilit "Gjashtë personazhe kërkojnë një autor" dhe do të kurorëzojë festimet teatrore me shfaqjen e Gogolit "Ditari i një të çmenduri "të teatrit të Greqisë me regji të Andreu Visnevski.
Festivali do të shtrihet në hapësirat e dy sallave me simbolikën ftuese të orës 20.00 të mbrëmjes kur do të shfaqen debutime të trupave teatrore nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Greqia, Bosnjë Hercegovina dhe Bullgaria.
Në Teatrin Kombëtar është parashikuar edhe një kënd i tryezave të teatrit ku krahas kritikëve vendas si Josif Papagjoni do të mbërrijnë të ftuar si analistë dhe gazetarë të mediave rajonale si Branko Sushec nga Kroacia apo Kemal Basha nga Turqia që pritet të ndjekin zhvillimet e festivalit të teatrit.
Gara teatrore deri në shtatë shtator do të ketë filtrin përzgjedhës të jurisë së profesionistëve dhe çmime do të përfshijnë jo vetëm shfaqjen më të mirë, por aktorin dhe aktoren, regjizorin, skenaristin, skenografin apo kostumografin më të mirë si zërat realizuese të një teatri profesionist.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›