Festivali Ndërkombëtar- Jare shkodrane në Greqi
Nis sot në Greqi Festivali Ndërballkanik i Këngës Popullore, ku Shqipëria përfaqësohet nga këngëtari Bujar Qamili. Ftesa e ardhur nga organizatorët e festivalit bën që për herë të parë vendi ynë të përfaqësohet në këtë ngjarje. Bujar Qamili në një rrëfim për gazetën “Shekulli” tregon për përgatitjet dhe emocionet që ndjen para pjesëmarrjes në festival. Aktiviteti nis sot dhe përfundon në datën 7 qershor në qytetin e Kamotinit, afër Athinës dhe rreth 50 km larg Selanikut. Shqipëria do të konkurojë më datën 5 qershor dhe interpretimi do të jetë live, për rreth 60 minuta. Bujar Qamili shprehet se ndihet i emocionuar pasi për herë të pare në karrierën e tij të gjatë artistike, merr pjesë në një festival ndërkombëtar, ku përfaqëson Shqipërinë. “Jam i bindur se nuk do të kthehem pa çmim, dhe këtë e mbështes në përgatitjet e bëra si nga unë ashtu dhe nga katër instrumentistët, që më shoqërojnë, por dhe në repertorin e zgjedhur për t’u përfaqësuar”, - thotë ai. Mësohet se në programin e këngëtarit janë 28 këngë popullore, pjesa më e madhe e së cilave i përkasin këngës popullore shkodrane, ndërsa pjesa tjetër janë perla të muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme dhe muzikës kosovare. “Do jemi të veshur me kostume popullore të Shkodrës, ndërsa sipas informcioneve të marra me anë të telefonit , në natën kur do konkurojë Shqipëria do ketë dhe mjaft emigrantë shqiptarë, që do ta ndjekin koncertin dhe do na mbështesin”, - tregon Qamili, teksa shton se qyteti në të cilin do të zhvillohet festivali nuk ka shumë shqiptarë, por mësohet se ata do të udhëtojnë nga qytete të ndryshme të Greqisë. “Kjo na e shton emocionin dhe përgjigjësinë për një përfaqësim të shkëlqyer të muzikës popullore shqiptare në një festival ndërkombëtar”, - thotë Qamili.
a.dushi