E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur UNESCO kërkonte Pogradecin

Ish-kryetari i Komitetit ekzekutiv në Pogradec, Belul Lufo, tregon se si në vitin 1984, një përfaqësi e UNESCO-s paraqiti projektin që Pogradeci e Driloni të ktheheshin në pjesë të Trashëgimisë botërore

Kanë kaluar plot 24 vjet që nga qershori i vitit 1984, kur në zyrën e ish- kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Pogradecit, Belul Lufo, mbërriti një delegacion i UNESCO-s. Qëllimi ishte t’i komunikonin vendimin e këtij institucioni të rëndësishëm, që Pogradeci dhe pika turistike në Drilon të shpalleshin pjesë të Trashëgimisë Kulturore Botërore. Liqeni i Ohrit dhe Ohri, në shtetin fqinj të Maqedonisë ishin shpallur dy vite më parë nga UNESCO trashëgimi kulturore dhe ishin vënë nën mbrojtjen e saj. Ish- Kryetari të Komitetit, thotë se përfaqësuesit e UNESCO-s vlerësuan peizazhin romantik të Pogradecit, ku gërshetohen liqeni e mali, por dhe klimën e butë. Ai thotë se ata kishin ardhur me një projekt konkret, madje edhe një maket të gatshëm, realizimi konkret i të cilit do të kushtonte miliona dollarë. Mësohet se ky maket ka qëndruar në ish-zyrat e Komitetit të Pogradecit deri në vitin 1997, kur u shkatërrua gjatë trazirave.

“Hapësira e Drilonit do të dyfishohej dhe do të shkonte nga pika turistike aktuale, në drejtim të fshatit Tushemisht, duke zgjeruar ujërat e Drilonit nga pika e burimeve në Gurras. Në majën e kodrës, tek burimet mendohej të ngrihej një hotel i madh me 5 yje, me pishinë dhe ambiente të tjera argëtuese, i rrethuar nga të gjitha anët nga ujërat. Maketi ishte shumë i bukur dhe mbi të gjitha, investimi do të bëhej me financimet e UNESCOS”, - thotë Lufo, duke treguar për entusiazmin që e përfshiu aso kohe. Ai thotë se i pari njeri që mësoi mbi këtë ngjarje, madje që pa edhe maketin, ishte shkrimtari Ismail Kadare, që në atë kohë gjendej në Pogradec. “Edhe vazhdon të rrish këtu?- më tha Kadareja. Ai më propozoi të nisesha menjëherë në Tiranë që ta bisedoja këtë çështje me kryeministrin e asaj kohe, Adil Çarçani. U nisëm të dy për Tiranë dhe në orën 9.00 ndodhesha në zyrën e kryeministrit”, - vazhdon Lufo. Ai thotë se ndërsa ai i entusiazmuar i tregonte kryeministrit për këtë projekt, ai e ndiqte fare indiferent.

“Më ndërpreu duke më thënë: Po ti je kryetyar i Komitetit more djalë dhe ende nuk e di që ne si shtet e kemi të ndaluar me kushtetutë të marrim ndihma dhe kredi nga jashtë? Kjo është kategorikisht e ndaluar! Më ngriu buzëqeshja dhe dola i turpëruar nga zyra e kryeministrit”, - vazhdon ish-kryetari i Komitetit. Thotë se takoi sërish Ismail Kadarenë, për t’i treguar si shkoi biseda me kryeministrin dhe kujton se shkrimtari u indinjua shumë, madje kërkoi edhe një takim me Çarçanin, por pa rezultat. “Më pas nga UNESCO me erdhi një praktikë zyrtare me disa shkresa radhë, të cilët kërkonin përgjigje, por unë heshta nuk iu ktheva përgjigje dhe me sa duket ata e kuptuan që tek ne diçka nuk shkonte”, - thotë Belul Lufo, i cili e mban peng në zemër këtë mundësi të humbur. Në një kohë, kur sot institucionet shqiptare përpiqen të fusin në UNESCO, qendra kulturore shqiptare dhe të përfitojnë nga mbështetja e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›