E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali Ndërkombëtar i Teatrove në qiell të hapur

Në Elbasan do të zhvillohet edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove. Edhe pse godina e teatrit ‘Skampa’ nuk ka përfunduar për shkak të djegies që pësoi në muajin gusht, sërish organizatorët janë të vendosur që ky event, me përmasa ndërkombëtare, të vazhdojë të zhvillohet në Elbasan. Drejtori Artistik i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove, Adonis Filipi, u shpreh se sivjet ky festival do të zhvillohet në kushte jo normale, por sipas tij vlerat i bëjnë njerëzit e ndaj edhe sivjet festivali është konceptuar si një vizion përtej kufijve. Për këtë arsye ai do të shtrihet në disa mjedise atraktive të Elbasanit, në Kala, te Hamami i Elbasanit, Universitetit i Elbasanit etj. Sa i përket pjesëmarrjes së trupave, për këtë vit priten të ngjiten në skenë pesë trupa të huaja dhe 8 trupa shqiptare. Ndër trupat e huaja përmenden ajo e teatrit alternativ të Kores së Leçes, trupa nga Sardenja, Polonia, Maqedonia; dhe nga vendi vlen të përmenden ato nga Tirana, Shkodra etj. “Të gjitha këto tregojnë formatin tepër të realizuar të këtij festivali”, nënvizoi drejtori Filipi. Sa i përket sportit, ai i ka bërë apel gjitha vlerave qytetare elbasanase që ta mbështesin këtë event. Ndërkohë bashkia ka në projekte të saj mbështetje të ngjarjeve të tilla artistike edhe pse sivjet shumë fonde shkuan për rindërtimin e teatrit. Bashkia parapëlqen zhvillimin e tij në pranverë, megjithatë organizatorët janë të vendosur ta zhvillojnë sivjet këtë edicion, i cili nis në datën 6 dhjetor e përfundon në datën 10 të këtij muaji.

F. Salliu

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›