E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Prifti: Dhëmb për dhëmb e video për video me Ilir Metën

SHKRUAN: Habjon Hasani 23-11-2011 12:28

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, hedh poshtë konfliktin e interesit në tenderin e naftës, duke thënë se në kohën kur ishte ministër, Xhillari nuk kishte aksione në “Fortis 2”. “Ka nxjerrë disa mashtrues të përmendin gruan time. Në qoftë se unë do të merrem me gruan i Ilir Metës, ta keni të qartë të gjithë që s’ka as ekspertë, as gjykatë, as media, as parti që mund ta shpëtojë më atë zotëri”

Dhëmb për dhëmb e video për video. Kjo ka qenë sfida e re e Dritan Priftit për Ilir Metën, pas betejës së akuzave mes palëve për përfshirje në afera korruptive. Gjatë një konference për mediat, Prifti ka mohuar se ka dhënë tenderin e naftës bruto, në konflikt interesi. Në akuzat e bëra pretendohet se bashkëshortja e Priftit është bashkëaksionere në kompaninë “Fortis 2” me Adrian Xhillarin, i cili nga ana e tij është përfituesi i ankandit të naftës në Albpetrol, duke skualifikuar kompaninë e Halilajt. Me një ekstrakt të QKR-së në dorë, Dritan Prifti tha se bashkëshortja e tij i kishte shitur aksionet në këtë kompani, kur ai ishte bërë ministër. “Ndërsa pronari i kompanisë që fitoi tenderin e naftës, në kohën e video-përgjimit u bë bashkëaksioner me bashkëshorten time, kur unë isha larguar nga funksioni si ministër”,-ka thënë Prifti, gjatë konferencës për shtyp. Më tej, Prifti është shprehur se i gjithë pretendimi për konflikt interesi është një sajim djallëzor, pasi në asnjë moment, asnjë familjar i tij nuk ka qenë aksioner me Xhillarin, gjatë kohës që Prifti ishte ministër. “Zoti Xhillari ka hyrë aksioner në kompaninë ‘Fortis 2’ në shkurt të këtij viti dhe siç e dini, unë kisha muaj që nuk isha më ministër. Atëherë ku qëndron konflikti i interesit këtu?”, - u shpreh dje Prifti. Deputeti Prifti i cilësoi si të ulëta dhe dashakeqe shtrembërimet e fakteve, duke lakuar emrin e familjarëve të tij. Ai shtoi se ai vetë nuk ka dashur të merret me familjarët e kundërshtarëve të tij dhe, nëse do vendoste ta bënte, surprizat nuk do kishin fund. “Ka nxjerrë disa mashtrues të përmendin gruan time. Në qoftë se unë do të merrem me gruan i Ilir Metës, ta keni të qartë të gjithë që s’ka as ekspertë, as gjykatë, as media, as parti që mund ta shpëtojë më atë zotëri. Mos të guxojë më të prekë me shpifje familjen time. Unë po ju them që nuk kam absolutisht asnjë frikë nga Ilir Meta. Unë e njoh Ilir Metën, ai mbështjell kokën me peshqir dhe futet në jorgan kur ka siklete. Nuk është ndonjë lloj trimi Ilir Meta. Le ta provojë me mua. Jam i gatshëm të përballem deklaratë më deklaratë, video për video, grusht për grusht, dhëmb për dhëmb. Si ta dojë ai dhe ku ta dojë ai! “, - është shprehur me tone të ashpra dje Prifti. Më tej, ish-ministri ka shtuar se do u shpërndajë të gjitha ambasadave të akredituara në vend kopje të origjinalit të videos dhe do t’i ftojë t’i ekspertojnë në vendet e tyre këto kopje të origjinalit, pasi, sipas tij, është evidente se ekspertët shqiptarë kanë trukuar rezultatet e ekspertimit të videos. Këto deklarata të Dritan Priftit vijnë një ditë pas dëshmisë së tij të gjatë në Gjykatën e Lartë, ku konfirmoi edhe një tjetër herë bisedën e bërë me Ilir Metën e të regjistruar më pas nga ana e tij. Prifti tha se gjatë takimeve të vitit 2010 Meta i kërkonte vetëm ndere, të cilat ai nuk mund t’i plotësonte, ndërsa shtoi se për ankandin e 30 mijë tonëve naftë, i ishin ofruar 1 milion dollarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›