E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nina Mula , 80-vjetori i lindjes, e ngjit në skenën e Teatrit të Operas

Qyteti i saj i lindjes ndodhet mes Europës dhe Azisë, diku mes në jug të maleve Urale dhe quhet Izhevsk në Rusi, por vendi ku ajo kaloi pjesën më të madhe të jetës quhet Shqipëri. Nina Mula (Odjankova) feston sot në Teatrin e Operas dhe Baletit 80-vjetorin e lindjes, ku ky institucion ka organizuar për artisten një ceremoni festive me ekspoze, kujtime, përshëndetje e interpretime nga kolegë, miq të afërm e shumë të ftuar të tjerë. Këngëtare shqiptare (soprano) me origjine ruse, u lind më 23 nëntor 1931 në Izhevski, Rusi. Pas mbarimit të shkollës pedagogjike në qytetin e lindjes më 1950, ajo kreu studimet e larta për kanto pranë Konservatorit P.I.Çajkovski në Moskë në vitet 1950- 1955. Më pas kryen edhe një kualifikim pasuniversitar pranë Konservatorit të Moskës. Pas mbarimit të kursit, në vitin 1957, vjen në Shqipëri në ndjekje të dashurisë së saj, tenorit Avni Mula, me të cilin u njoh gjatë studimeve në Moskë. Emërohet soliste pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, ku punoi deri në daljen e saj në pension në vitin 1976. Një nga pengjet e saj është pikërisht pensioni në moshë të re. Ajo u largua nga skena në moshën 45-vjeçare, ndërkohë që do të kishte dashur të qëndronte më gjatë për të realizuar të tjera role; do të kishte dashur të interpretonte në operan “Toska”, “Trovatore”, por dhe “Luçia di Lamermmor”. Gjatë aktivitetit të saj në TOB, Nina Mula ka realizuar me shumë sukses një numër të madh rolesh kryesorë nga operat e kompozitorëve shqiptarë si dhe nga literaturë botërore, po gjithashtu edhe një sërë koncertesh me një repertor të pasur dhe të larmishëm, si brenda vendit ashtu edhe jashtë Shqipërisë, si në Çekosllovaki, Rusi, Lituani, Ukrainë, Letoni etj. Disa nga rolet e saj janë Rosina tek opera “Il Barbiere di Seviglia” 1958, Norina në operan “Don Pasquale” 1959, Drita në opera “ Pranvera” 1960, Tatjana në operan “ Eugeni Onjegin” dhe Olimbia në operan “Lulja e Kujtimit” në vitin 1961, Susana në operan “ Le nozze di Figaro” dhe Michaela në operan “Karmen” në vitin1962, Leila në operan “Peshkatarët e Perlave” në vitin 1964, Violeta në operan “Traviata”, Borëbardha në operan “ Borëbardha”, Mrika në opera e parë shqiptare “Mrika” në vitet 1959 dhe 1966, Donika në operan “Skënderbeu” ,1968 etj. Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, ndër të cilët mund të përmendim: Urdhrin ‘Naim Frashëri të klasit të II’ (1970), titullin ‘Artiste e Merituar’ (1975), Çmimin e Parë në Festivalin e Romancës dhe mjaft çmime në Koncertet e Majit, si dhe titullin ‘Mjeshtër i Madh i Punës’ (2001).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›