Festivali i Akullit dhe Dëborës mbledh në Kinë miliona vizitorë
Një qytet i akullt është krijuar në Kinë në kuadrin e edicionit të 26 të Festivalit të Akullit dhe Dëborës. Ngjarja vjetore është mbajtur në qytetin Harbin në veri të vendit dhe ka tërhequr miliona vizitorë nga i gjithë vendi. Ata janë paraqitur të hipnotizuar nga krijimet e akullit që artistët kanë krijuar në kuadrin e këtij festivali. Në këtë festival bëhet fjalë për dhjetëra skulptura të ndërtuara me akull, të cilat janë ndriçuar me drita me ngjyra rreth tyre, duke
krijuar në këtë mënyrë një mjedis mjaft mbresëlënës. Ky eveniment realizohet në fakt në shumë vende të botës, ku akulli është një element i rëndësishëm i jetës së tyre. Nëntëmbëdhjetë ekipe artistësh nga shtatë vende kishin në dispozicion tre ditë kohë për të prerë, sharruar, gdhendur e lëmuar një kryevepër të përftuar nga një bllok akulli gjatë një konkursi për realizimin e skulpturave prej akulli. Harbin gjatë këtyre ditëve po përballej me një ndër dimrat më të ashpër ndër vite ku temperaturat arritën në minus 30 gradë Celsius. Secilit ekip iu dha një bllok akulli me lartësi dy metra, gjerësi dy metra, trashësi 50 centimetra e peshë rreth dy ton i nxjerrë nga sipërfaqja e ngrirë e lumit Songhua, i cili rrjedh në rrethinat e Harbin. Skulptorja amerikane Tatjana Shremko Shriempf, në fillimet e punës për realizimin e skulpturës së një ketri në një bllok të stërmadh akulli, pohoi se ky material ishte i përkryer për këtë proces. Ekipi fitues do të marrë një çmim prej rreth 732 dollarë si dhe do të ketë mundësi ta ekspozojë veprën e tij përpara turistëve të shumtë në parkun Zhaolin, vendi ku po zhvillohet konkurrimi.