Kosova e pranishme në samitin për Ballkanin
Vendi kryesues i BE-së, Spanja, ka paralajmëruar se do të vazhdojë të mbështesë integrimin evropian të Ballkanit, por edhe se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, shefi i diplomacisë spanjolle ka bërë të ditur se Kosova do të jetë pjesë e Konferencës për Ballkanin në Sarajevë. Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, shtet i cili në fillim të këtij viti mori kryesimin e BE-së, Miguel Angel Moratinos, ka deklaruar në Madrid se Spanja do të
vazhdojë bisedimet për zgjerimin e Bashkimit Evropian edhe në Ballkan dhe ka përsëritur se nuk do ta ndryshojë qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Gjatë një bisede me raportuesit e BE-së, Moratinos ka thënë se bisedimet po zhvillohen me Maqedoninë, duke përmendur këtu kontestin që ka ajo me Greqinë, me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Serbinë. Sa i përket Bosnjës e Hercegovinës Morantinos është treguar më i përmbajtur, ndërsa kur bëhet fjalë për Kosovën, ai ka thënë se Spanja mbetet pranë qëndrimit të mos e njohë vendin dhe ka shfaqur shpresën e tij për zhvillimin konstruktiv të Kosovës, ku para se gjithash, sipas tij, është me rëndësi stabiliteti. Megjithatë, ai ka shtuar se Kosova do të jetë e përfaqësuar në nivel të lartë në konferencën për Ballkanin, e cila do të mbahet në Sarajevë. Për herë të katërt qysh pas anëtarësimit në BE në vitin 1987, Spanja merr presidencën e BE-së. Mbi 90% e spanjollëve parimisht janë në unanimitet: ata janë për anëtarësimin e vendit në BE dhe sepse nga fondi i BE-së është derdhur një pjesë e madhe e ndihmave për modernizimin e Spanjës. Por pikërisht spanjollët janë ndërkohë të preokupuar me probleme thelbësore: vendi ka një kuotë papunësie gati 20%, borxhet e shtetit po rriten vrullshëm. Këtij problemi qeveria do t' i bëjë ballë me më shumë investime në fushën e shkencës dhe arsimit. Në nivelin e BE-së qeveria do t'i bashkëngjitet së ashtuquajturës "strategjia e Lisbonës", e vendosur përpara dhjetë vjetësh. Programi i ri i së ardhmes duhet të quhet Evropa 2020. Ndërsa si temë të rëndësishme të saj, presidenca Spanjolle do të ketë mbrojtjen nga dhuna në familje. Prej vitesh Spanja përpiqet gjithashtu që të vendosë një temë tjetër në rend të ditës së BE-së: në Spanjë grave të kërcënuara prej partnerëve ose ish-partnerëve të tyre u ofrohet mbrojtje nga policia, ekziston një ligj për mbrojtjen e gruas nga dhuna si dhe policë, prokurorë dhe gjyqtarë të specializuar në këtë drejtim. Megjithatë në vitin 2008 janë vrarë 70 gra prej burrave të tyre. Në disa vende të tjera të BE-së këto shifra janë edhe më të larta, e megjithatë në nivel evropian kjo lloj dhune as që hetohet.