E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i Orkestrave Frymore në edicionin e pestë

07/07/2010 Për herë të parë edhe “Akademia Muzikore Verore”. Vlerësim me çmime për orkestrat pjesëmarrëse

20 orkestra dhe ansamble frymore nga vendi e rajoni kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Festivalin e Pestë të Orkestrave Frymore që siç është bërë tashmë traditë do të organizohet këtë fillim korriku në Sarandë dhe në Himarë.

Nga data 10 deri 15 korrik 2010, Klubi Kombëtar i Orkestrave Frymore me mbështetjen e M.T.K.R.S. dhe të bashkive Sarandë e Himarë, organizon edicionin e pestë të festivalit, ndërkohë që për herë të parë, paralelisht me festivalin nga K.O.F. organizohet dhe “Akademia Muzikore Verore”,

Festivali i Orkestrave Frymore është i vetmi aktivitet i këtij lloji në Shqipëri. President i festivalit është zoti Edmond Gjoka, kryetar i Bashkisë Sarandë dhe drejtor artistik i festivalit është dirigjenti Edmond Doko. Duhet theksuar, që festivale të tilla janë të shpeshta në zona turistike të rajonit e më gjerë. Realizimi me sukses i tij imponohet edhe nga zhvillimet cilësore në fushën e turizmit, që Saranda e bregdeti i jugut te vendit përjeton. “Është plotësisht e ligjshme të krenohemi e gëzohemi në këtë jubile të Festivalit të Orkestrave Frymore në qytetin tonë. 5 vite, ashtu sikurse rriten e zhvilluan qytetin tonë, rritën e zhvilluan dhe festivalin, duke e shndërruar atë në një nga aktivitetet më të rëndësishme kombëtare e që këtë vit po merr dimensione rajonale. Qyteti dhe zhvillimi i turizmit ka nevojë dhe për performimin cilësor artistik që orkestrat frymore ofrojnë”, shprehet presidenti i festivalit, Edmond Gjoka.

Në këtë jubile të festivalit, drejtori artistik i tij, Edmond Doko, ia atribuon një pjesë të madhe të meritës mjeshtrave të instrumenteve frymorë: Fatos Jaho, Ilir Gjoka, Bashkim Barbullushi, Sokol Saraçi, Gazmor Halilaj, Andrea Canaj, Xhemali Murraj, etj. “Kur diskutonim për rizgjimin e traditës së orkestrave frymore, kurrsesi nuk na shkonte mendja, që për një 5-vjeçar, orkestrat frymore do të kishin festivalin e tyre, do të njihnin jo vetëm konsolidim, rritje të nivelit, por dhe rritje të numrit të tyre. Është kënaqësi të shikosh mjeshtër të rinj të instrumenteve frymor që mbushin formacione muzikore të traditës apo që rishtas lindin”, vëren Doko.

Për herë të parë këtë vit do të realizohet njëkohësisht me festivalin si seksion i veçantë i tij dhe “Akademia Muzikore Verore”, cikël seminaresh dhe mësimesh të hapura në ndihmë të instrumentistëve të rinj.

K.O.F. nëpërmjet festivalit, si dhe aktiviteteve të tjera, vitet e fundit ka arritur që të rizgjojë e gjallërojë traditën më se 100-vjeçare të orkestrave frymore.

Krahas orkestrave frymore të bashkive Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë, Fier, Elbasan, Sarandë, të orkestrës frymore të Forcave të Armatosura, si pjesëmarrëse nderi e përvitshme në festival, apo të ansambleve të ndryshme nga vendi, në këtë edicion do të marrin pjesë KOA Brass Ensemble dhe Filarmonia e Bashkisë “Αgias Paraskevis“ Athinë (Greqi), Macbrasskuintet (FYROM) apo dhe banda muzikore e Contessa Entellina (Itali). Në fund të aktivitetit, një juri e përbërë nga personalitete artistike do të vlerësojë me çmime orkestrat frymore pjesëmarrëse në festival.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›