E Shtunë, 31 Tetor 2026

Institucionet shtetërore kërkojnë ende certifikata

07/07/2010 Ankesat, prej 6 muajsh janë zëvendësuar nga kartat, prefekti paralajmëron punonjësit

ELBASAN- Edhe pse ka 6 muaj që është zëvendësuar nga karta e identitetit, institucionet në Elbasan vazhdojnë të kërkojnë certifikata. Ankesa ka ardhur nga vetë struktura e prefektit ku qytetarët janë ankuar për faktin se edhe pse janë pajisur me karta identiteti, në shumë drejtori, bashki apo rajone vazhdojnë t’i kërkojnë certifikata duke refuzuar kartën e identitetit.

Prefekti

Sipas prefekti të Elbasanit, Shefqet Deliallsi, shqetësimi është ngritur më shumë nga pensionistët, të cilëve për të marrë pensionin apo kompensimin u duhet të nxjerrin disa certifikata e jo një. Mësohet se gjithashtu certifikata është kërkuar nga ana e Sigurimeve, Postës, shkollave etj. Prefekti u ka bërë thirrje të gjithë drejtorive, institucioneve apo njësive vendore të zbatojnë vendimin e Këshillit të Ministrave për njohjen si dokument identifikimi të letërnjoftimit për të gjithë qytetarët mbi moshën 16 vjeç. Ai tha se në zbatim të këtij vendimi do të ketë penalizime për punonjësit që do të vazhdojnë të kërkojnë certifikata duke mos zbatuar këtë vendim. Në rast të ankesave tha ai, punonjësit do të përballen me gjoba deri edhe pezullim nga detyra.

Ankesat

Qytetarë të ndryshëm kanë deklaruar se atyre vazhdon t’ju kërkohet certifikata edhe pse kanë marrë kartën e identitetit. Një prej tyre tregon se i është dashur të marrë certifikatë ditën e provimit të vajzës pasi i kanë kërkuar certifikatë edhe pse ajo ka pasur në duar kartën e identitetit. Ndërkohë rastet më flagrante janë pensionistët, të cilët në përgatitjen e dokumentacionit si mjet identifikimi kanë paraqitur letërnjoftimin. Por specialistët u kanë thënë se u duhej certifikata sepse karta e identitetit nuk i kishte të dhënat e plota. Po kështu ka ndodhur edhe në institucionet vendore kur qytetarët kanë përgatitur dokumentacionin për ndihmë ekonomike apo për procedura të tjera. Në të gjitha këto institucione nuk aplikohet fotokopja e dokumentit dhe specialistët e kanë më të thjeshtë t’u thonë qytetarëve të shkojnë të marrin certifikatë. Veç pagesës për të marrë një të tillë duhet të presësh radhën. Prefekti u ka bërë thirrje qytetarëve të depozitojnë ankesa ndaj çdo punonjësi që i sorollat. Ky institucion mund të propozojë masë për punonjësit në rast se ata përsërisin një kërkesë të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›