E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i trëndafiltë

Mbrëmja e ndarjes së çmimeve të Festivalit të Filmit në Teatrin Kombëtar dhe atmosfera "live"


Parada e fustaneve ngjyrë trëndafili, vathët vezullues, të papriturat "live" në skenë, fitues që mungojnë për arsye udhëtimi, ikje avionësh, xhirime të një tjetër filmi, duartrokitje që mbytnin zërat në kakofoni të atyre që japin çmime.


Këto fragmente nga mbrëmja e ndarjes së çmimeve të Festivalit të Filmit në Tiranë (TIFF), vinin të gjalla duke kaluar për herë të fundit në tapetin e kuq. Mu tek ai tapet ku u zvarrit për dhjetë ditë festivali dhe shoku vizual, herë prej sfinksave dhe herë prej bufave të shumëfishuar në formate të mëdhenj sa një gjysmë boje njeriu, si të derdhur në bronz.


Ajo atmosferë ngrinte krye edhe kur përpiqeshe të kujtoje fjalët e atyre pak fituesve që ndodheshin aty, regjisori grek Teo Angjelopulos i vlerësuar me Çmimin e Karrierës, aktori Anastas Kozdine që tërhoqi çmimin Filmi më i mirë i TIFF-it; trupa e "Lindje-Perëndim-Lindje", Gjergj Xhuvani, fitues i Regjisorit më të mirë dhe aktorët Helidon Fino, Lulëzim Zeqja, Gentjan Hazizi, Ervin Bejleri, Fatjon Pustina.


Duke iu referuar prodhimit filmik të viteve të fundit, Angjelopulos tha: "Kinemaja nuk është më profesion, por është kusht jetese". Regjisori grek kthehej në Tiranë pas 16vitesh, në një qytet që nuk e njihte më, për shkak të transformimit fizik të tijin. Çmimi iu dorëzua nga regjisori shqiptar Pirro Milkani.


Më pas ai i dha kupën e Filmit më të mirë të TIFFit, aktorit shqiptar Anastas Kozdine, i vetmi përfaqësues i filmit "Akademia e Platonit". Kozdine iu drejtua publikut me këto fjalë: "E ndjej veten tepër të emocionuar që unë, një aktor shqiptar që kam jetuar e punuar në Greqinë fqinje, për afro 20 vjet, të marr në duart e mia, në duart e argasura të një emigranti të zakonshëm, argat i punëve më të rënda të ndërtimit, kupën e këtij festivali të rëndësishëm".


Teksa dëgjoje këto në fund të mbrëmjes, kuptoje sesa emocione fituesish mungonin aty që nga fillimi i saj. Nga filmi "Gruaja pa piano", fitues i dy çmimeve Filmi më i mirë i TIFF-it dhe i Aktores më të mirë, nuk u panë në skenë as regjisori Javier Rebello, as aktorja Carmen Machi. Po ashtu, edhe fituesit e Çmimit të Publikut, regjisorja franceze Sophie Bartez dhe shqiptari Ilir Kasmi.


Festivali i dha çmimin e mirënjohjes Goran Paskaljeviçit, me motivin që organizatori Genc Përmeti e përmblodhi në fjalët: "Mirënjohje për një regjisor që e konsideron Tiranën shtëpinë e tij të dytë dhe për kontributin e njohjes së filmit shqiptar nëpër botë". Paskaljeviçi, i cili hapi festivalin, nuk ishte në mbylljen e tij, po ashtu edhe i biri Vladimir Paskaljeviç, fitues i Çmimit të Medias me "Qyteti i Djajve".


Një vlerësim me rëndësi i festivalit ishte për "Çmimi i Karrierës" për regjisorin Viktor Gjika, që u prezantua nga regjisori Gjergj Xhuvani dhe u tërhoq nga shkrimtari Teodor Laço. "Për njerëz si Viktor Gjika thuhen tre postulate: Ta duash, Ta kuptosh, Ta vlerësosh", pohoi Xhuvani.


Në mungesë të fituesve, çmimet u morën nga miqtë, ose përfaqësues të tjerë, që mezi gjendeshin në sallë ose ndërhynin në një moment të pavolitshëm, edhe në mes të fjalës së prezantuesit Adi Krasta.


Kështu ndodhi kur Ambasadori Spanjoll në Shqipëri u ngjit në skenë për të dhënë emrat e fituesve të kategorisë "fiction", Carmela Sanchesin dhe Sergio Barrejonin, në të njëjtën kohë me kryetarin e jurisë së Filmit të Shkurtër, Richard Edson.


Kjo situatë, edhe të tjera para saj, ku ngatërroheshin zarfet me fjalët e prezantuesit, ose vonoheshin kupat nga fustanet e gjata, u kaluan me finesën dhe humorin karakteristik të Krastës, që publiku e mirëkuptoi dhe e mbështeti me duartrokitje të forta dhe të qeshura, që të bënin të harroje se ishe në një Festival Filmi.


Ngutja në prezantim e të zgjedhurve për të dhënë çmime, e ndërthurur me entuziazmin e spektatorit, gjatë gjithë pjesës së parë të mbrëmjes ta bënin të vështirë të kuptoje kush ishin fituesit dhe arsyet që juria i kishte përzgjedhur.


Gjatë kësaj kohe u prezantua çmimi "Dokumentari më i mirë", fituese Shota Bukoshi me "Dy histori dashurie" dhe çmimet inkurajuese për "Goleshovo" e Ilian Metev dhe "Two Hayways", bashkërealizim i rusëve Alexander Markov dhe Nick Teplov.


Në prezantimin e Filmi më të Mirë të animuar nga Albert Malltezi u dëgjua vetëm titulli i Filmit "Dy princeshat", me regji të Maria Stefanovës, ndërsa tjetri u mbyt nga brohoritja e publikut.


Filmi më i mirë shqiptar, i prezantuar nga Besnik Bisha, i takoi regjisë së Odeta Çunajt me filmin "Shenjat", si dhe dy çmime inkurajuese për Blerta Zeqirin dhe Irida Xhongën. Regjisori Bisha, përfaqësues i jurisë së Filmit Shqiptar, e shpjegoi motivin e këtij çmimi me "vrullin që kineastja e re shpreh në xhirime".


Çmimet e Filmit më të mirë Eksperimental, të prezantuar nga Iris Elezi, i takoi filmit "November" të regjisorit kroat Boris Greiner, kurse ai inkurajues i takoi filmit "Eulogy" regji të austrialianit Ben Claremont.


Këtë vit, TIFF shpërndau edhe çmimet "Digiart", për filmat e shfaqur në konkurrimin televiziv, një mënyrë e mirë për të rehatuar ndjekësit e filmave dhe në të njëjtën kohë, për t'i mbajtur larg dyerve të kinemasë.


Kurse, po të zgjidhje kinemanë, duhet të tregoheshe i duruar përpara problemeve të shumta teknike, ndërprerjeve, shkëputjeve dhe shtyrjes së filmit edhe për një ditë më vonë.


Edicioni i shtatë i Festivalit të TIFF-it u mbyll me pyetjen "A mund të kemi në Shqipëri një ceremoni si Oscari?" dhe përgjigje e saj "Jo". Në fakt kjo ishte pyetja që shtroi Krasta nisur nga këndvështrimi i tij si prezantues dhe problemet që pjell mungesa e organizimit në skenë.


Me siguri tjetër pyetje do të kishte shtruar Krasta po të kishte ndjekur festivalin. Ndoshta do të pyeste: kush e ka vullnetin dhe tagrin të kërkojë dhe të tregojë se cila janë realisht rezultatet e një aktiviteti me glamour jashtë dhe plot probleme brenda, që zhvillojnë me fonde publike shoqatat private?


Në skenën e TK, fituesja e të rinjve


Sonte, ora 19.00, në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar shfaqet "Shtëpia e Berndarda Albës", dramë e Federiko Garsia Lorkës, me regji të Alma Hotit. Me këtë shfaqje, Hoti është shpallur fituese e Festivalit të Regjisorëve të Rinj këtë vit.


Interpretojnë Armela Demaj, Elona Hyseni, Cubi Metka, Olta Haziraj, Marsela Lenaj, Klodiana Keco, Denalda Teli dhe Adriana Tolka.


Arti ngre zërin në mbrojtje të mjedisit


Në hollin e Muzeut Historik Kombëtar qëndron e hapur deri më 20 dhjetor, ekspozita e fushatave më të mira publicitare botërore ambientale dhe sociale, organizuar nga "Mania Card".


Nën logon "Ndryshimet klimatike, impakti njerëzor, sfida kreative", në ekspozitë tregohen foto që angjencitë e ndryshme franceze, australiane, blege, amerikane etj., kanë bërë gjatë fushatave publicitare në mbrojtje të mjedisit.


Premiera e TK-së, më 17 dhjetor


17 dhjetori është data që Teatri Kombëtar ka caktuar për premierën e vetme të këtij sezoni, "Kush ka Frikë nga Virginia Woolf", shkruar nga Edward Albee, me regji të Kushtrim Bekteshit.


Hera e fundit që u njoftua për shtyrjen e premierës, ishte fundi i muajit nëntor, për shkak të dëmtimit gjatë provave të aktores Eftiola Laçka. Në këtë shfaqje interpretojnë Eva Alikaj, Eftiola Laçka, Viktor Zhusti, Helidon Fino.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›