Fundoset dheu, rrezikon shembjen qendra shëndetësore
ELBASAN/ Rreth orës 03:00 të mëngjesit, një gropë karstike e krijuar ka shkaktuar krisje të mureve në godinë
ELBASAN - Një gropë karstike e hapur rreth orës 03:00 të mëngjesit të së hënës rrezikon shembjen e qendrës shëndetësore të Belshit, si dhe një shtëpi pranë saj. Fundosja e dheut ka shkaktuar krisje të mureve në një prej banesave, por edhe në qendrën shëndetësore.
Mësohet se gropa karstike ka një diametër prej 3 metrash. Zhurma e shkaktuar prej fundosjes së dheut është dëgjuar si nga mjekët që kanë qenë në turn, por gjithashtu edhe në banesat rrotull, duke shkaktuar panik.
Por fundosja nuk ka ndaluar, pasi edhe gjatë pasdites gropa karstike ka vijuar që të thellohet ende më tepër, ndërsa ajo çka është parë edhe me sy të lirë është që gryka e saj ishte më e ngushtë, ndërsa në thellësi ajo është zgjeruar në formën e një hinke të përmbysur.
Sipas banorëve, në këtë kohë çdo vit vihen re fundosje, por këtë herë ato i janë afruar qendrave të banimit, duke lëkundur qendrën shëndetësore dhe një shtëpi në qytezën e Belshit.
Fundosja e dheut është shfaqur përballë qendrës shëndetësore duke shkaktuar fillimisht një zhurmë që e kanë ndier personeli në turn ndërsa gropa është thelluar me kalimin e orëve. Drejtori i qendrës shëndetësore, Asqeri Kuqja, thotë se shembja e dheut ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit.
Ai shprehet se nuk janë larguar ende nga qendra, por nëse vijon thellimi i saj dhe nëse nuk do të bëhet mbushja e gropës, atëherë do t'u duhet të largohen, pasi vihet në rrezik jeta e njerëzve që punojnë, por edhe të sëmurëve.
Ndërkohë, banorët të shqetësuar thonë se shpesh në zonën e tyre janë shfaqur fundosje madje mbi dhjetëra metra, por këtë herë gropat janë shumë afër shtëpive dhe rreziku është më i madh.
Ata kërkojnë nga shteti të gjejnë sigurinë për të jetuar në shtëpitë e tyre. Vasjar Hysa, që ka shtëpinë pranë qendrës shëndetësore thotë se nga fundosja edhe shtëpia e tij është dëmtuar.
Pushtetarët lokalë thonë se do t'i drejtohen Institutit Gjeologjik dhe Ministrisë së Brendshme që këta të fundit të bëjnë urgjentisht një studim për qëndrueshmërinë e tokës në këtë zone, për të përcaktuar edhe rrezikun që u kanoset banorëve të Belshit. Kreu i bashkisë, Arif Tafani, shprehet se Këshilli Bashkiak do të kërkojë që studimi të bëhet sa më shpejt dhe të përcaktohet zona nëse është e banueshme apo jo.
Ky studim kërkohet edhe nga banorët, të cilët këto ditë nuk po e kalojnë gjumin e qetë.
Zona e Belshit me shumë liqene të vogla të tipit karstik ka mbi 3 mijë banorë. Çdo vit në të krijohen gropa karstike për shkak të ujërave nëntokësore që qarkullojnë dhe po kështu përbërjes gëlqerore.
Vitet e fundit krijimi i gropave karstike po kthehet në shqetësim të madh për banorët, pasi fundosjet i janë afruar tej mase zonave të banuara duke arritur këtë herë deri në qendër të qytezës.