E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet Xhani De Biazi, objektivi i tij është një fjalë me katër gërma: Punë!

SHKRUAN: Jeton Selimi 20-12-2011 15:44

Italiani do të pasojë në detyrë kroatin Kuzhe. Ka firmosur një kontratë 2-vjeçare, deri më 31 nëntor të vitit 2013

Buzagaz, i shkathët, dhe me një familjaritet mbresëlënës. Kështu u paraqit Xhani De Biazi përpara mediave në konferencën e tij të parë si trajner i Shqipërisë, duke krijuar menjëherë “feeling”-un e duhur. Italiani, ish-teknik i Breshias, Torinos apo Udinezes, ka firmosur një kontratë dy-vjeçare, çka do ta mbajë atë të lidhur me stolin kuqezi deri në nëntor të vitit 2013. Më pas një urim shqip dhe një ndjesë për mosnjohjen e gjuhës dhe De Biazi nisi zyrtarisht aventurën e tij. “Kërkoj ndjesë që nuk mund të flas dot gjuhën tuaj. Ardhja ime në krye të Shqipërisë përbën një moment specifik dhe të veçantë në karrierën time si trajner. Në planin e përgjithshëm, drejtimi i kombëtares suaj është krenari dhe përgjegjësi e madhe, njëkohësisht. Falënderoj presidentin Duka që ma besoi mua këtë detyrë. Jam krenar që jam zgjedhur trajner i një vendi, që rritet si nga ana ekonomike, ashtu edhe ajo sportive. E di mirë se çfarë më pret, ndërkohë që mund të them se e njoh disi kombëtaren e Shqipërisë. Kam parë disa ndeshje të saj në DVD dhe kam krijuar përshtypjet e mia të para. Të kuptohemi, Shqipëria ka një kombëtare të vogël, nuk bën pjesë në elitën e futbollit europian, por kjo nuk më tremb as dekurajon mua si trajner”, tha De Biazi në fjalën e tij hyrëse përpara gazetarëve. Më pas, ish-trajneri i Udinezes u vu përballë pyetjeve, të cilat kryesisht u fokusuan në dy aspekte. I pari kishte të bënte me ndryshimin e tij të kursit, nga trajner klubesh (të dorës së dytë) në një trajner kombëtareje. Por De Biazi i kishte bërë mirë detyrat e shtëpisë. Mes batutave dhe humorit me njerëzit e medias, ai u përgjigj: “Personalisht jam mësuar të punoj me ekipe të vogla, kështu që ndihem mirë dhe jam në terrenin tim. Në karrierën time nuk kam drejtuar kurrë Interin, Milanin apo Juventusin. Kam drejtuar ekipe të vegjël të cilët i kam ndihmuar për t’u rritur. Kështu bëra te Modena. E mora nga Serie C1, dhe vit pas viti e ngjita në A. Edhe me Breshian e Torinon u ngjita në A, dhe pas largimit tim këto skuadra ranë nga kategoria – tha trajneri kuqezi, që më pas saktësoi aspektin e dytë të punës së tij –. Do të mundohem të krijoj një komunikim të drejtpërdrejtë me lojtarët, në mënyrë që të prek dhe kuptoj çdo gjë me dorën, sytë dhe veshët e mi. Së pari do të mundohemi të gjejmë arsyet se përse Shqipëria ka një rënie në renditjen e FIFA-s dhe në bazë të tyre të ndërtojmë strategjinë tonë të punës në vijimësi. Do të bëjmë një riorganizim rrënjësor të punës në kombëtaren e Shqipërisë, por kjo do të përfshijë edhe sistemin e ekipeve kombëtare më poshtë.”

I pyetur se cilat janë objektivat e tij, De Biazi shmangu pompozitetin që zakonisht ofron konferenca e parë për shtyp dhe u tregua i kujdesshëm dhe diplomat në përgjigjen e tij. “Një gjë mund të garantoj sot, ditën e prezantimit tim këtu: Shqipëria, me mua trajner, do të rritet. Bashkë me lojtarët dhe drejtuesit e federatës do të bëjmë gjithçka për t’i arritur objektivat. Natyrshëm, ju do më pyesni në këtë pikë se çfarë objektivash kemi përpara. Në gjykimin tim, rezultatet në futboll nuk janë fantazi, por realitet, Ato duhet të jenë të prekshme. Ndaj unë them se kemi një objektiv real në lojë: të ecim përpara hap pas hapi! Do të sjell eksperiencën time të punës në Itali, ndërsa impenjimi personal, por edhe i stafit tim, do të jetë maksimal në këtë detyrë të re. Mirë është që të mos krijojmë iluzione të kota, pasi të gjithë e njihni realitetin e kombëtares shqiptare,” tha trajneri italian i Shqipërisë, që e përfundoi fjalën e tij me punën që do të bëjë për ndeshjen miqësore kundër Gjeorgjisë. “Natyrisht që njoh më mirë Canën, Ujkanin dhe Bogdanin. Sidomos Bogdanin që e kam pasur kundërshtar në shumë ndeshje. Ajo që më ndihmon me lojtarët në Itali është fakti se mund të komunikoj me trajnerët e tyre dhe ata do të më thonë të vërtetën për gjendjen fizike të lojtarëve. Ndërsa për të tjetër, së bashku me asistentët e mi, do të udhëtojmë në Europë dhe do të vëzhgojmë kampionatin shqiptar”.

Kupa e Botës 2014

Për trajnerin, grupi është i vështirë

Ndonëse ishte vetëm dita e tij e parë e punës, nuk mund të anashkalohej një temë shumë e nxehtë: Kupa e Botës 2014. Duke qenë se do të jetë pikërisht De Biazi në krye të fushatës kuqezi të eliminatoreve, ai është pyetur edhe për këtë çështje. Shqipëria gjendet në grupin E eliminator dhe do ta ndajë rrugëtimin e saj me kundërshtarë si Norvegjia, Sllovenia, Zvicra, Islanda dhe Qipro. “Sa i takon grupit kualifikues për Botërorin 2014, në të cilin bën pjesë Shqipëria, mund të saktësoj se është mjaft kompetitiv dhe impenjativ. Në të përfshihen skuadra të forta, me të cilat duhen bërë mirë detyrat dhe llogaritë,” është shprehur De Biazi, i cili përpara se të analizojë rivalët e eliminatoreve që nisin në shtator, do t’i bëjë llogaritë me Gjeorgjinë më parë, në miqësoren e Tbilisit. “Pas 72 ditësh kemi një miqësore me Gjeorgjinë. Do të jetë kjo ndeshja ime e parë në krye të Shqipërisë dhe që tani do nis të shoh për lojtarët që do të grumbulloj,” saktësoi De Biazi.

Grupi E

Norvegjia

Sllovenia

Zvicra

Shqipëria

Islanda

Qipro

Krahasimi

De Biazi: Unë s’jam Dosena, s’e braktis anijen

De Biazi është trajneri i dytë italian në krye të kombëtares së Shqipërisë. Paraardhësi i tij ishte Xhuzepe Dosena, një ish-kampion bote që la pas vetëm pluhurin e një sjelljeje aspak korrekte. I pyetur rreth kësaj ngjarjeje, De Biazi nuk ngurron të përgjigjet. “Secili përfaqëson veten dhe veprimet e tij e kompletojnë atë që ai përfaqëson. Nuk e di se çfarë motivesh e kanë shtyrë Dosenën që ta braktisë anijen e tij, por sidoqoftë nuk më takon mua që ta gjykoj”, është shprehur De Biazi, që ka lënë të nënkuptohet se ai nuk do ta braktisë anijen që i është besuar, e cila quhet kombëtarja e Shqipërisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›