Festohet në Korçë 7 marsi/ Arsimi, bashkimi i shqiptarëve me dritën

Vargu i Naimit të madh, “Lumja ti moj Korçë, ...o lule", ka qenë logoja e festimeve të 7 Marsit në qytetin e Korçës. Ndërtesa karakteristike që natyrshëm ka marrë emrin Muzeu Kombëtar i Arsimit, ku më 7 Mars të vitit 1887 u hap shkolla e parë shqipe, ka pritur edhe sot vizitorë të shumtë, të cilët në këtë 7 Mars kanë patur mundësinë të vizitojnë një ekspozitë me koleksione të rralla të botimeve për shkollat e para shqipe. “Këtu janë paraqitur rreth 150 libra të koleksionistëve të ndryshëm, që janë përdorur nga nxënësit e shkollave shqipe deri në vitet 1920”, thotë Shpëtim Sala, nga shoqata e koleksionistëve shqiptarë. Abetare, libra këndimi, tekste për mësimin e gjuhëve të huaja, janë paraqitur në këtë ekspozitë si dëshmi e kontributit të patriotëve shqiptarë në mbështetje të shkollave shqipe. Koleksionisti tregon me krenari edhe një alfabet shqip të qëndisur, që daton vitin 1893, kur u krijua klubi “Dëshira” në Sofje, një nga grupimet e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit, që kanë bërë përpjekje të shumta për botimet e librave shqip. Të pranishmit në ekspozitën e hapur në 122 vjetorin e çeljes së shkollës së parë shqipe janë mësues jo vetëm nga Korça, por nga gjithe krahinat e vendit, madje edhe nga Maqedonia e Kosova. Mësues e nxënës shqiptarë nga viset e Maqedonisë e Kosovës, nuk mungojnë me vizitat e tyre në asnjë vit në Muzeun Kombëtar të Arsimit shqip, si për të kujtuar se një shtysë e fuqishme për mësimin e gjuhës shqipe është dhënë me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. “Lidhja Shqiptare e Prizrenit u hodh në veprimtari konkrete për ruajtjen e aspiratave arsimdashëse të popullit shqiptar", thotë studiuesi dhe koleksionisti Shpëtim Sala. Hapja e të parës shkollë shqip në qytetin e Korçës, pak ditë më pas u vazhdua me hapjen e shkollës së parë shqip në qytetin e Pogradecit, e më tej këto vatra të arsimit shqip u krijuan edhe në Leskovik, Ersekë, Ohër, etj.
Historiku i hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë.
Afro 9 vjet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u hodh në veprimtari konkrete për ruajtjen e aspiratave arsimdashëse të popullit shqiptar, mësimi shqip vazhdonte të zhvillohej në forma pothuajse ilegale. Shoqëritë patriotike në Stamboll, Bukuresht dhe Kajro filluan ndërkaq hartimin dhe botimin e teksteve mësimore në gjuhën shqipe, fillimisht për t'u përdorur në mësimin e gjuhës shqipe nga shqiptarët e emigruar jashtë vendit, e më pas në shkollat e pavarura në Shqipëri. Ndërkaq, në Korçë funksiononin 3 shkolla në gjuhën turke, 4 shkolla në gjuhën greke, mes të cilave edhe një gjimnaz, si dhe një shkollë fillore vllahe. Hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë më 7 mars 1887, është edhe meritë e emigrantëve korçarë të vendosur jashtë atdheut, që kontribuan financiarisht për botimin e librave në gjuhën shqipe. Një ndër antarët më aktivë të shoqërisë “ Drita” në Bukuresht, Nikolla Naço, u bë nismëtar i kërkesës për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë, ndërkohë vëllezërit Frashëri, kishin arritur të nxjerrin një leje në Ministrinë e Arsimit në Stamboll për hapjen e një shkolle shqip në Korçë në emër të Pandeli Sotirit. Dita e 7 Marsit në Korçë u kthye në një ditë të shënuar, ditë feste e gëzimi kombëtar.
...