E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta shqiptare dhe mullixhinjtë

EDMOND TUPJA

Në këto ditë të ethshme përpjekjesh nga ana e qeverisë shqiptare që edhe Shqipëria të fitojë statusin e vendit kandidat për tu futur në Bashkimin Europian, ndërkohë që Serbia, para fare pak ditësh e fitoi këtë status me shpresë që, në vitin 2020, ta shohë veten anëtare me të drejta të plota të BE-së, po mundohem të kuptoj qëndrimin e mbrapshtë të së majtës shqiptare, e cila po përdor të gjitha mjetet për ta vonuar integrimin e Shqipërisë pikërisht në BE.
Historikisht dhe denbabaden, e majta shqiptare e ka konsideruar Shqipërinë, gjithsesi, atdheun e saj (teorikisht, të paktën), si ta kishte vjehërr, kurse veten e ka parë si nuse që vjen nga një shtëpi e huaj, sepse dihet botërisht se atë e themeluan komunistët jugosllavë.
Historikisht dhe denbabaden, e majta shqiptare i ka dashur mullixhinjtë joshqiptarë, sepse dihet botërisht që ka parapëlqyer thellësisht së pari ata jugosllavë, pastaj ata sovjetikë dhe së fundi ata kinezë. I ka dashur të parët sepse ata e formuan, e udhëzuan, e përpunuan dhe kështu, detyrimisht, i mësuan zanatin më të vjetër në botë për ta ushtruar në semaforët e Historisë. I ka dashur të dytët sepse ata e forcuan dhe e përforcuan, e ndihmuan tu kthenin kurrizin tutorëve paraardhës dhe kështu, detyrimisht, e përsosën në zbatimin sllav të zanatit më të vjetër në botë për ta vazhduar të ushtruarit e tij në semaforët e Historisë, duke e shpërblyer bujarisht. I ka dashur të tretët sepse ata e ndihmuan të dilte e papërlyer nga balta e prostituimit profesionist ku e kishin zhytur paraardhësit e tyre.
Por, historikisht dhe denbabaden, më tipikja për të majtën shqiptare është se ka fjetur radhazi me mullixhinjtë jugosllavë, sovjetikë e jugosllavë, veçse përherë sipas të njëjtit stil, një stil i habitshëm, gati-gati sadomazohist, të bazuar në inatin, përbuzjen, urrejtjen për vjehrrën në emër (oh, çkomedi e mbrapshtë!) të dashurisë për atdheun! E thënë ndryshe, ajo i jepej secilit mullixhi gushe-gushe e xhan-xhan (Miqësia, garancia! qe parulla e saj), pastaj i përvishej me grushte e shkelma duke vjellë vrer së pari kundër mullixhiut revizionist jugosllav, së dyti kundër mullixhiut socialimperialist sovjetik dhe së treti kundër mullixhiut kinez, si edhe kundër të treve njëkohësisht (Ndërtojmë socializmin me forcat tona! qe parulla e saj e fundit).
Po sot, cilat janë marrëdhëniet e së majtës shqiptare me vjehrrën e saj Shqipëri? A ka gjetur ajo mullixhinj të tjerë për tu dashuruar e për tu zbavitur zabërhançe me ta vertikalisht e horizontalisht para se ti urrejë bujarisht po aq vertikalisht e horizontalisht, madje, ndoshta, edhe diagonalisht nën dritën e semaforëve modernë të globalizimit? Me shumë gjasë, nuk është e lehtë ti përgjigjesh kësaj pyetjeje të sikletshme. Gjithsesi, le ta bëjmë një përpjekje modeste në këtë drejtim:
Sot, e majta shqiptare, e mbetur pa mullixhinjtë e saj historikë, duket se kërkon, ndonëse me druajtje e thuajse dëshpërimisht, mullixhinj të tjerë, por, ngaqë nuk gjen dot, është kthyer në një të majtë disi të çuditshme, a thua se, në këtë epokë kur orientimet e devijuara seksuale nuk konsiderohen më si sëmundje, vese apo vlera negative falë tolerancës dhe emancipimit të shoqërisë njerëzore, ajo, pra, e majta shqiptare, e ka gjetur vetveten te transvestizmi: ajo vishet si mullixhi dhe fle me vetveten, thënë ndryshe, është dyzuar duke ekzistuar biseksualisht! Po në çmënyrë e realizon këtë? mund të pyesë ndonjë lexues/e jo fort i/e rrahur me këto punë. Përgjigjja ime do të ishte e përafërt, ngaqë nuk jam as seksolog, as psikolog i mirëfilltë: E realizon duke u sjellë herë si femër (e majta, si emër në gjuhën shqipe, është e gjinisë femërore), herë si mashkull (mullixhiu, si emër në të njëjtën gjuhë shqipe, është i gjinisë mashkullore). E thënë më shkoqur, ajo përpiqet tia fusë pjesës femërore të vetvetes pjesën mashkullore po të vetvetes: stil i ri ky, fryt bashkëkohor i hulumtimeve të udhëheqjes së saj për të vazhduar të flejë me mullixhiun që ka brenda vetes për inat të së njëjtës vjehërr, pra, për inat të Shqipërisë, duke e penguar atë që, në përpjekjet e saj për ta shkundur miellin e mykur të së kaluarës moniste, të fitojë, ndër të tjera, edhe statusin e vendit kandidat për tu bërë pjesë integruese e familjes së madhe europiane.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›