Fier – Prodhim dhe shitje e narkotikëve, dërgohen për gjykim 10 persona

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar në gjyq 10 persona të pandehur. Shtetasit A.B., D.D, E.K., G.Ç., G.C., K.B., K.Ç, N.Ll., K.Q. dhe Xh.R., akuzohen për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
“Kjo çështje penale nisi mbi bazën e referimit të kryer nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, se disa shtetas ishin të përfshirë në shitjen, blerjen e shpërndarjen e lëndëve narkotike në territorin e Bashkisë Fier.
Në kuadër të hetimeve proaktive kryer në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, si përgjime, regjistrime në vende publike, etj, si dhe veprimeve të tjera hetimore, si kontrolle të banesave/vendeve, sekuestrime, këqyrje, ekspertime, marrje të deklarimeve të personave që kanë dijeni apo të pandehurve, etj., u arrit të provohej se të gjithë të pandehurit kanë shitur më shumë se një herë lëndë narkotike të llojeve kokainë, heroinë dhe cannabis sativa”, njofton Prokuroria e Fierit.
Prokuroria e Fierit, bën me dije se në vijim të hetimeve proaktive u kërkua në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier caktimi i masave të sigurimit “arrest në burg” ndaj të 10 personave të përfshirë, ndërsa në lidhje me faktet apo personat e tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale, është kryer ndarja e çështjes penale për të vijuar hetimet.
/a.f/r.e/