E Martë, 3 Nëntor 2026

Fier/ Përdornin lokalet për lojëra fati, arrestohen 2 persona

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Fierit pasi kishin vënë në dispozicion lokalet e tyre për vënie bastesh sportive.

Ata u kapën në flagrancë në 2 lokalet në pronësi të tyre ku dyshohet se i përdornin për organizim dhe lojëra fati në kundërshtim me ligjin.

Nga të dyja ambientet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 8 njësi kompjuterike (lap top dhe iPad), 2 celularë dhe 1 televizor.

“Si rezultat i kontrolleve në lokale ku dyshohet se organizohen dhe luhen lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, goditën 2 raste të tjera të kësaj veprimtarie. Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për këto raste u vunë në pranga shtetasit F. L., 26 vjeç dhe  J. Zh., 22 vjeç, të dy banues në Fier”, thuhet në njoftim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›