E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier e Tepelenë, banorët e 4 fshatrave bojkotojnë zgjedhjet

Gazetarët e NEWS 24 informojnë se ka pasur probleme në shpërndarjen e materialeve në disa QV në rrethe si dhe në 2 QV të Tiranës. Banorët e 4 fshatrave në Tepelenë e Fier refuzojnë të tërheqin materialet në shenjë proteste për mos investime.TIRANE- Ka nisur zyrtarisht në orën 07.00 procesi i votimit për të zgjedhur parlamentin e ri në mbarë vendin. Gazetarët e NEWS 24 informojnë se komisionerët e 3 fshatrave të qarkut të Fierit dhe një fshat në Tepelenë kanë refuzuar të tërheqin materialet zgjedhore në shenjë proteste për mungesë investimesh.

Në Fier, mbi 2000 banorë të 3 fshatrave të komunës Portez kanë bojkotuar votimet në shenjë proteste për rrugën e dëmtuar.

As në fshatin Mezhgoran të Tepelenës nuk ka nisur votimi pasi komisionerët nuk pranuar të tërheqin materialet zgjedhore, pasi- thonë banorët- në këtë fshat nuk është kryer asnjë investim.

Probleme janë vërejtur edhe në komunën Nikël të Krujës, ku procesi i votimit nuk ka nisur pasi ka probleme me emrat e komisionerëve dhe të vëzhguesve të akredituar në QV.

Në qarkun e Beratit informohet se në 55 qendra votimi ka munguar boja matrikuluese, (që shënjohet në gishtin e votuesit, shenjë dalluese që një qytetarë të mos votojë më shumë se një herë). Gazetari i NEWS24, duke iu referuar anëtarevë të KZAZ-ve thotë se boja nuk ka ardhur nga Tirana me materialet zgjedhore dhe se më vonë është bërë dhe shpërndarja e bojës matrikuluese.

Në Durrës, Korcë, Shkodër, Burrel, Dibër, nuk janë vërejtur probleme deri në orën 08.00 dhe të gjitha QV janë hapur normalisht, informojnë gazetarët e NEWS24.

Nga gazetari i NEWS 24 i akredituar në KQZ-së informohet se nga burime të besueshme, por jo zyrtare në dy QV të Tiranës ka pasur probleme me shpërndarjen e materialeve të votimit, ndërsa n fshatin Vrri të Pukës deri në orën 8.00 nuk kishin mbërritur materialet zgjedhore.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›