Fier, fillon vjedhja masive e tubacioneve të naftës

Privatizimi ka bërë që shumë njerëz të vërsulen në zonat naftëmbajtëse për të marrë tubat e për t'i shitur për skrap
FIER - Privatizimi i naftës ka bërë që shumë njerëz të vërsulen në zonat naftëmbajtëse. Epiqendra e këtij sulmi është zona e Marinzës, e cila pothuajse është privatizuar.
Bëhet fjalë për vjedhje të tubacioneve që dikur shërbenin për qarkullimin e naftës bruto nga një pus në tjetrin ose nga një rezervuar në një tjetër. Pikërisht ndalimi i këtyre puseve që kanë kaluar në varësi të një firme private, ka bërë që shumë banorë të zonës të gërmojnë nën tokë dhe të nxjerin prej tyre tubat për t'i përdorur për skrap.
Sipas këtyre banorëve, nuk merren tuba që janë në gjendje pune, pasi ata janë privatizuar dhe janë marrë nga firma, por merren tubacionet e papërdorshme. "Ne, në kushtet që e shikoni edhe vetë, - shprehen ata, - gërmojmë thellë në tokë duke nxjerrë tubacione që janë të padobishme për puset e naftës".
Megjithatë, nuk përjashtohen edhe raste ku merren tuba edhe nga puse që nuk janë privatizuar, por që aktualisht nuk punojnë, ndërsa nuk përjashtohen raste që janë vjedhur edhe pompa ose pajisje të saj që kanë vite që nuk kanë fuksionuar, si dhe janë shkatërruar kullat metalike. Të gjitha këto veprime, që mund të quhen vjedhje, bëhen në mes të ditës dhe këta persona që janë kryesisht banorë të zones, nuk i shqetëson askush.
Ditën në diell ata hapin kanale ku janë shtruar tubacionet shumëvjeçare, i presin ato me mjete të mekanizuara dhe më pas i grumbullojnë në makina të cilat ndodhen afër puseve. Pasi i ngarkojnë, ata largohen pa u ngacmuar nga askush. Mësohet se janë qindra metra linearë tubo të madhësive të ndryshme të ndodhura në tokë ose jashtë saj pavarësisht se mund të jenë jashtë pune që po vidhen dhe bëhet sehir.
Ky aksion sipas vetë personave që presin këta tuba në kushte të vështira, pasi u duhet të përballen me mbetje nafte bruto pas hapjes së kanaleve, ka ditë që ka filluar. Sipas tyre është privatizimi që po i bëhet kësaj zone shkaku i marrjes së këtyre tubacioneve për skrap, pasi ato nuk mund t'i përdorësh për gjë tjetër për vetë natyrën e punës që kanë kryer.