E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri i diktaturës

Në ekspozitën "Teatri i hijeve" tek FAP-i dhe galeri Zeta, Ardian Isufi i vendos monumentet, sheshet, heronjtë, simbolet e regjimit komunist në skenën e kohës sonë.


Me metaforë, sarkazëm dhe ironi ai i zhvesh nga madhështia


Artisti Ardian Isufi prezantoi dje në dy ambiente, në galerinë "FAP" të Akademisë së Arteve dhe në galerinë "Zeta" ekspozitën "Teatri i hijeve" me rreth 16 punë, vizatim, pikturë, video, instalacion.


Në "Teatrin" e Isufit, personazhe janë sheshet publike, monumentet e kulturës, objektet e kultit, dhe simbole të kohës së komunizmit, që artisti u ka dhënë jetë vetëm me një qëllim: çmitizimin dhe zhveshjen e tyre nga madhështia. Isufi e prezanton Sheshin e Flamurit në Vlorë dhe Monumentin e Pavarësisë në bashkëjetesë të paqtë me biznesin "Pizzeria Vagabondo" të një shitëseje ambulante që tregton babane, kafe, Coca-Cola, hamburger.

Po ashtu, në krah të monumentit "Ushtari i Panjohur" shihet një ndërtesë shumëkatëshe, e mbuluar nga reklama e një kompanie celulare. Më fatkeqja duket shtatorja e Leninit, me kokën të mbuluar nga degët dhe gjethet e një peme.


Isufi është marrë edhe me objektet e kultit, kishat dhe xhamitë, si në rastet kur ato ndodhen në sfond të monumenteve, por edhe në rastet kur këto objekte janë ngritur në vende me një destinacion krejt tjetër si për shembull, Xhamia e Kavajës, e ngritur në ish-Fabrikën e Qelqit. Është "tranzicioni i besimit që vazhdon për shkak të një të kaluare të errët".


Në vizatime, ai me ironi merret me simbolet e jetës socialiste: kazma, pushka, ylli. Por ai është marrë edhe me përpunimin e materialeve të jetës së dikurshme nën socializëm si për shembull letra e makaronave, aq të njohura dhe karakteristike për të disa breza shqiptarësh që jetuan ato kohë.


Po çfarë i thotë ky teatër artistik, kohës së sotme? "Këto monumente janë hija jonë, ndërgjegjja jonë. Mendoj se është koha që ne urgjentisht duhet ta marrin në konsideratë shumë seriozisht këtë hije që kemi nga pas. Jo për të thënë sa keq ishte në komunizëm, për të treguar utopinë e komunizmit. Këto gjëra ne i dimë, dhe e njohim hijen tonë.


Problemi është mos ta lëmë më këtë hije të na diktojë sot, tek mënyra si ne sillemi në shoqëri, në mënyrën sesi sillemi me ata që na udhëheqin, dhe me ata që na shesin ideologjinë", shpjegon rreth konceptit të ekspozitës, kuratori i saj, Edi Muka që si shembull të ekzistencës së hijeve merr, sjelljet e sotme të shoqërisë dhe medias kundrejt njerëzve të veshur me pushtet.


"Për mua një tregues i faktit që ne ende nuk i jemi shkëputur absurdit dhe domosdoshmërisë për të adhuruar individin është mënyra sesi u prit Xhorxh Bushi në Shqipëri, fakti që kryeministri Berluskoni mund të bëjë lloj-lloj shakash me ne dhe mënyra sesi mediat relatohen ndaj personave në pushtet", vijon më tej Muka.


Në një intervistë për "Shekullin", artisti Ardian Isufi tregon më tepër për krijimin dhe qëllimin e këtyre punëve të cilat ekspozohen në FAP deri më 11 prill dhe tek "Zeta" rreth 20 prillit.



Çfarë ka të re për komunizmin ekspozita "Teatri i hijeve"?


Me këtë ekspozitë i risjell publikut një situatë mbi të cilën duhet të reflektojë dhe është ai që e merr dhe definon mesazhet e saj. Qëllimi është që të ngacmojë memorien e publikut, memorie që ka lidhje me kontekstin e një historie politike, sociale, shoqërore.



Sapo hyn sheh monumentin "Njeriu i ri socialist" të shtrirë përdhe. Ky është mesazhi i parë që doni të jepni?


Në qendër të ekspozitës, qoftë tek Galeria "FAP" e Akademisë së Arteve, apo edhe galeria "Zeta", është një monument që sillet në formën e artifaktit, një fakt konkret që ndodh. "Njeriu i ri socialist" është një monument i braktisur në Muzen Arkeologjik të Durrësit, ku menjëherë shikojmë dhe reflektojmë mbi rënien e miteve, në mënyrën sesi i kemi trajtuar dhe i trajtojmë sot.


Është edhe një video-instalacion që flet për mënyrën sesi e kemi sjellë nga Durrësi deri këtu, duke krijuar një paralelizëm, një lloj metafore dhe sarkazme me filmin "I teti në bronz". Është bërë një paralelizëm për të treguar situatën paradoksale ku ndodhet ky monument, por edhe për të reflektuar për rishikimin që ne duhet t'i bëjmë historisë sonë. Sa autoreflektivë duhet të jemi me veten jo vetëm me monumentet, por edhe mbi shumë ngjarje dhe histori, që duhen trajtuar me një realizëm të mirë.


Për të folur për mitet e shpallura në komunizëm, keni përdorur si simbol sheshet, monumentet, objektet e kultit. Po protagonistët?

Ekspozita nuk ka formën e dëshmisë ose të akuzës. Është një mënyrë për të reflektuar diçka mbi përjetimet tona, që nuk kanë qenë vetëm tonat. Jam lidhur me elementët që ne kemi ndërtuar, me ato që bashkëjetojmë.


Vizitorit të ekspozitës i sillet një kohë, që vazhdon edhe sot. Ne kemi një mentalitet postkomunist në mënyrën si jetojmë, si vazhdojmë të mendojmë. Ekspozita nuk ka karakter ilustrues, thjesht marrim pika referimi, ndërkohë pjesa më e rëndësishme është ajo që kaluam.


Po ta vështrosh shkurt historinë, 90% e monumenteve tona janë ndërtuar në kohën e regjimit. Monumentet tona në sheshe kanë qenë, deklamimi dhe reklamimi më i fortë i një politike të caktuar. Prandaj krijohet një retro, për t'i risjellë ato të zhveshura nga hiperbolizimi i kohës.


Ku duhet të ekspozohet vepra e realizmin socialist, nëse nuk duam që të mbushin sheshet?


Unë nuk jam për qëndrim mohues. Kjo ekspozitë nuk shërben për të mohuar diçka, por për të evidentuar, për të reflektuar.


Nuk jam me idenë e hedhjes së monumenteve, për arsye se ato janë një stad i historisë sonë dhe aty ku janë flasin. Një sy sot dhe nesër, do të vëzhgojë stadet e historisë sonë. Ajo do të jetë tamam një lloj kurbe e jetës sonë në kohë, në vite, në periudha dhe nuk është keq që ne ta kemi këtë kurbë para syve. Problemi është që kjo kurbë të vijë në rritje. Monumentet që do të vijnë pas të kenë atë që unë parathashë, një autorefleksion më të madh në përmbajtje.


Ky diskutim mbi rishikimin e historisë, do të ngelet vetëm në nivelin e prezantimit të kësaj ekspozite?


Do të jetë një katalog me tekstet përkatëse të kuratorit Edi Muka dhe publicistit Fatos Lubonja, i cili e ka ndjekur nga afër këtë si proces. Mbi të gjitha, them se diskutimi do të jetë i hapur. Gjatë ditëve të ekspozitës do të bëjmë dy-tri takime me njerëz të interesuar për temën e këtij debati. Katalogun menduam që ta nxjerrim pas ekspozitës për të parë opinionet e publikut, për t'i marrë ato mesazhe dhe për t'i pasur në katalog. Kjo është një pjesë që ne mendojmë se do të funksionojë mirë: mesazhi dhe më pas reagimi ndaj mesazhit.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›