Fier, mbytet 19-vjeçari, mister shkaqet
PAKUJDESIA/ Ernest Allanjaku është zhdukur paraditen e së dielës, ndërsa dëshmitë për të janë kontradiktore
Njerëz në vendngjarje kanë pohuar se djali kishte hipur në një varkë me shokët, por s'ka dalë më nga deti
FIER - Mbytet në rrethana ende të pasqaruara mirë një 19-vjeçar nga Plyku i Fierit. Ernest Allanjaku mësohet të jetë larguar nga shtëpia ditën e diel, duke u thënë familjarëve se do të shkonte të lahej me shokët në det. Por më pas ai është zhdukur dhe ende nuk dihet se ku ndodhet. Sipas dëshmitarëve që ndodheshin në bregdetin e Semanit 19-vjeçari ka hyrë në det me shokë të tij, por nuk ka dalë më.
Ndërkohë, shokët e djaloshit kanë pretenduar se ai nuk është futur me ta në det e si rrjedhojë nuk dinë të thonë se ku ndodhet. Nga ana tjetër, një person është shprehur se ka parë një kufomë të një të riu në bregdet, por më pas dallgët e kanë marrë dhe e kanë zhytur në thellësi.
Dëshmitë
Sipas personave që ditën e diel ndodheshin në plazhin e Semanit, Ernest Allanjaku së bashku me shokët e tij kanë marrë një varkë me pedale dhe janë futur në det. Por më pas nga deti kanë dalë vetëm katër shokët e 19-vjeçarit, në një kohë që djaloshi nga fshati Plyk nuk ka dalë. Prindërit e viktimës kanë njoftuar policinë pas marrjes në pyetje të shokëve të djalit të cilët kanë mohuar se i riu ndodhej me ta.
Disa prej tyre janë shprehur se ata e kanë parë Ernestin në plazh, por nuk janë shoqëruar bashkë. E mbërritur në vendngjarje policia ka marrë në pyetje dëshmitarët si dhe shokët e të riut. Shumë prej dëshmive janë kontradiktore njëra me tjetrën. Persona të pranishëm në bregdet janë shprehur se të rinjtë kanë marrë një varkë për t'u futur në det dhe më pas varka është përmbysur.
Një gjë e tillë ka bërë që katër shokët të dalin, por i pesti ka mbetur brenda. Sipas dëshmive varka është përmbysur rreth 100 metra nga bregu për shkak të dallgëve të mëdha të krijuara nga era e fortë e së dielës. Sipas policisë, shkak për mbytjen e të riut mund të ketë qenë edhe një lojë mes tyre. Por këta të fundit nuk kanë pranuar që të kenë dijeni për zhdukjen e 19-vjeçarit.
Familja
Pas mosmbërritjes së djalit, familja ka shkuar në vendin ku ai do të bënte plazh dhe kanë kërkuar përgjatë gjithë vijës bregdetare për të gjetur trupin e 19-vjeçarit. Më pas edhe policia dhe polumbarë kanë mbërritur në vendngjarje, por era e fortë e cila ka krijuar dallgë të mëdha, ka krijuar probleme në kërkimin e trupit të Ernest Allanjakut.
Veç kërkimit të trupit, tashmë po hetohet edhe për të zbardhur se si ndodhi mbytja e 19-vjeçarit. Nga të pranishmit në vendngjarje mësohet se kontakti i fundit me të riun ka qenë rreth orës 11 të paradites së të dielës.
Plyk, familja Allanjaku në pritje të gjetjes së trupit
Zijai, i ati i Ernestit, mes dhimbjes thotë: "Jemi vetëm në pritje të gjetjes së trupit. Nuk shpresojmë se do të ketë mbetur gjallë. Rrethanat tregojnë se ka ikur. Mjerë ne për këtë gjëmë. Ishte i vogli mes dy djemve. - Më tej ai tregon për largimin e djalit nga shtëpia. - Iku në mëngjes, së bashku me të afërm dhe shokë. Mua më lajmëruan shokë të tij dhe pasdite vonë prita autobusin të kthehej.
Në sediljen ku ishte ulur im bir kur iku, gjeta vetëm çantën e tij. Nuk kishte ngrënë asgjë, pasi ushqimet që kishte marrë me vete ishin në çantë. Edhe shapkat dhe rrobat në sediljen e autobusit i kishte lënë. Më pas i rashë telefonit të djalit. Nuk më përgjigjej askush. Vetëm sot në mëngjes telefonin e gjeta në autobus, - tregon me një zë të ngashëryer Zijai.
- Të gjithë të tjerët thanë se në varkën që u përmbys ishte djali im, por nga ata që kishin qenë atje, thuhet që im bir nuk ndodhej. Më habit ky fakt. Nëse djemtë kanë luajtur si të rinj që janë dhe ka ndodhur kjo gjëmë, le ta thonë, pasi ajo që ndodhi, ndodhi",- thotë me lutje babai i të humburit.