New Dibbets
Në proces koleksioni Dibbets, ekspozita kryesore e vjeshtës. Dhurata e artistit holandez për Galerinë Kombëtare të Arteve është shqyrtuar se çfarë ka origjinale dhe çfarë të printuar në seri. Shima thotë se ekspozohet i plotë dhe ngre një shqetësim: të ardhurat nga bileta duhet t'i mbeten Galerisë
Ka ekzistuar gjithnjë në Galerinë Kombëtare të Arteve edhe një fond i artistëve të huaj. Kësaj kategorie i përket edhe koleksioni Dibbets, me të cilin po punohet aktualisht si projekt që do të paraqitet i përfunduar në vjeshtë.
Ky koleksion iu dhurua galerisë në vitin 1999 nga artisti konceptualist holandez, Jan Dibbets.
Vetëm në shtator të vitit 2005 është bërë inventarizimi i koleksionit.
Drejtori Rubens Shima tha se është një koleksion i rëndësishëm, i cili është ekspozuar 2 herë jo i plotë. Pastaj ishte e nevojshme që "të sqarohej" se çfarë kishte ndër to origjinale, çfarë printime të limituara. Shima flet kësaj here për një regjistrim të kujdesshëm, kujdes që i kishte munguar regjistrimit të parë, ku ishin marrë për origjinale edhe printimet.
Janë 53 autorë vërtet shumë të mirë, do thoshte ai. Jan Dibbets u kishte kërkuar nga një vepër për këtë koleksion dhuratë, që ndoshta është gjëja më e mirë që ka në fondin e artistëve të huaj. Hyrja e tyre në GKA u bë falë bashkëpunimit me ish-drejtorin e asaj kohe, Gëzim Qëndro. Dibbets kishte kontribuar fillimisht për konkursin ndërkombëtar "Onufri"
Anselmo, Paladino, Golub, Lupertz, Bill Viola, Gilbert&George, Christo&Jeanne-Claude... Janë (mbi)emra të shquar të artit bashkëkohor në epokën para dhe pas kapërcimit të shekujve. Sidomos dyshja Christo&Jeanne-Claude zë vend mjaftueshëm.
Drejtori i GKA-së konfirmon se nga shqyrtimi që i është bërë koleksionit, rezulton se 40% e tij përbëhet nga vepra origjinale. "Edhe pse s'janë veprat më të rëndësishme të autorëve, janë emrat e tyre që janë kthyer në logo të artit bashkëkohor. E quaj të rëndësishëm ekspozimin e plotë të koleksionit, sepse është e vetmja mundësi që vizitorët dhe sidomos studentët, të jenë në kontakt nga afër me vepra të vërteta të artit bashkëkohor. Pastaj origjinale apo printime, është çështje teknike".
Shima shton se ka artistë që printimin e kanë vepër origjinale, ka vepra në kopje të limituara. Tek Dibbets-i ynë ka autorë me vepra seri, me 1 ose 2 punë në 12 printime.
Ai veçon si një majë të koleksionit "pjesëmarrjen" e artistit britanik Damien Hirst, prej të cilit GKA-ja ka disa printime dhe një vepër origjinale.
Prezantimi i të gjithëve është një punë më vete, që do të kërkojë bashkëpunimin me galeritë që i përfaqësojnë këta artistë. Zakonisht, thotë Shima, veprat e dhuruara paraqiten edhe me skicën e ekspozimit ose me "manualin e veprës". Shumica janë artistë konceptualë dhe vendosja e tyre në sallën e ekspozimit nuk mund të bëhet si për një ekspozitë rutinë.
Ai thotë se ky koleksion nuk është studiuar fare. Kjo ka ndodhur me krejt fondin e autorëve të huaj, por edhe me autorët shqiptarë. Ai e ka vënë re këtë gjë ndërsa ndërtonte linjën muzeale, për të cilën u desh të bënte një kërkim ndër 4000-5000 veprat e gjithë fondit të Galerisë.
Ishin lënë mënjanë punë shumë të mira të autorëve rilindas. Ndonjë që kishte realizuar për shembull një portret pashai, ishte identifikuar vetëm me peizazhe apo me Skënderbej. Ka ndodhur për shkak të mentalitetit për çka duhej të paraqiste arti dhe artisti, qoftë për ata artistë që jetuan nën regjimin, po edhe për ata që instalimi i regjimit nuk i gjeti gjallë.
Kështu edhe historia për një "Çifut shëtitës" të Rembrant, mbetet për Shimën një fiction urban. "Nuk mund të flitet në erë për shkollë të Rembrandit apo shkollë të Rubensit, sepse fondi është i pashqyrtuar. S'ka studim të punëve. Prandaj kanë qarkulluar histori fiction për konsum mediatik. Ka ardhur koha që gjërat të jenë më profesionale."
Shima shpreson tek logjika e një galerie, aktivitetet e së cilës "të shiten". Galeri si vend që afron publikun jo galeri si shtëpi e artistëve, do thoshte ai.
Duke iu referuar të dhënave të vizitueshmërisë të linjës së re muzeale, drejtori është optimist për tipin e aktiviteteve që prodhojnë të ardhura. Sepse, në fund të fundit, kjo do të thotë publik. "Galeria ka arritur të ketë, në rastin më të mirë, edhe 600 vizitorë në ditë, grupe turistike të shoqëruar me guida, siç ka pasur edhe rënie në 30 vizitorë në ditë.
Por ka edhe vizitorë frekuentë që janë kthyer të shohin muzeun për së dyti. Ky tip vizitori më gëzon në veçanti."Shima thotë se shumë shpejt ka për të kërkuar tek autoritetet e kulturës shqyrtimin e një akti të veçantë për të ardhurat nga biletat, me kërkesën që këto të ardhura t'i mbeten institucionit.
Fondi i projekteve për GKA-në në një vit është 3 milionë lekë, por drejtuesi mendon se kjo galeri mund të jetë në gjendje ta trefishojë këtë vlerë me "produktet" e saj. Kështu që dy janë rrugët: ose të rritet fond i projekteve, ose të ardhurat që nxirren nga biletat, nga botimet, nga fitimet prej imazhit që përdor GKA-ja, t'i mbeten asaj.
Fondet janë gjithnjë të limituara. Pak nga pak galeria do të ketë një strukturë të konsoliduar: linjën muzeale, ekspozitat e përkohshme dhe parku i skulpturave, një projekt në proces. Shima di një gjë: shteti mbetet koprac "s'mund ta presësh të japë para. Është e vështirë të ndryshojnë gjërat, por jo e pamundur."