Fier, monitorim me dron për disiplinimin e parkimit në qendrat e banuara

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Shërbimet e Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kanë shtuar kontrollet në rrugët urbane kryesore dhe dytësore, si dhe në qendrat e banuara për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Kontrollet e alternuara, me burime njerëzore dhe nëpërmjet përdorimit të teknologjisë, kanë për qëllim jo vetëm disiplinimin e parkimit, në përputhje me rregullat e qarkullimit rrugor, por edhe rritjen e transparencës në trajtimin e ankesave të përdoruesve të rrugës lidhur me rastet e ndëshkimit në mungesë nga shërbimet e Policisë.
Duke marrë në konsideratë numrin e lartë të mjeteve që konstatohen në shkelje, kryesisht për parkime në rresht të dytë ose në rrugëkalime të mjeteve, të cilat shkaktojnë vështirësi dhe stres të përditshëm për përdoruesit e rrugës, Policia Rrugore i bën apel të gjithë qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të tregojnë përgjegjshmëri dhe të shmangin parkimet e parregullta.
Këto masa synojnë garantimin e një qarkullimi sa më të lirë dhe të sigurt, veçanërisht gjatë sezonit të ri shkollor.
/m.m/j.p/r.e/