Arrestohen në Itali dy shtetas në kërkim ndërkombëtar, do të ekstradohen në Shqipëri

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Policia e Shtetit ka finalizuar dy faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me partnerët italianë, duke çuar në arrestimin në Itali të dy shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin e tyre në Shqipëri.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan Muhamet Bedulla, 33 vjeç, dhe U. B., 26 vjeç.
Sipas Policisë, Bedulla është dënuar në vitin 2018 nga Gjykata e Korçës me 10 vjet burgim për veprën penale Vrasja me dashje, mbetur në tentativë. Në vitin 2017 ai ka tentuar të vrasë shtetasin A. S., të cilin e ka plagosur tri herë me mjet prerës, thikë. Nga dënimi i dhënë, 33-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 3 vjet e 4 muaj burgim.
Ndërsa 26-vjeçarit U. B., Gjykata e Elbasanit i ka caktuar në vitin 2025 masën e sigurisë arrest në burg, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Sipas Policisë, në vitin 2024, U. B. është kapur duke shitur lëndë narkotike kanabis sativa, ndërsa akuzohet edhe për mbajtjen në banesë të një sasie të konsiderueshme fishekësh luftarakë dhe dy krehra pistolete.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma vijojnë procedurat për ekstradimin e dy shtetasve drejt Shqipërisë.
/e.i/j.p/r.e/