E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, ndeshje "gladiatorësh" mes dy shkollave, parandalohet nga policia

Nxënësit ishin fshehur pas oborrit të shkollës për t'u përleshur "trup më trup" 
Një ndeshje mes "Gladiatorësh". E tillë ishte quajtur ndeshja e djeshme e planifikuar nga dy grupe të rinjsh, minorenë, nga qyteti i Fierit. Çudia ka qenë se kjo ndeshje ishte planifikuar prej dy grupeve një javë më parë dhe ndeshja e zhvilluar ka qenë vetëm raundi i parë, pasi një tjetër raund do të ishte disa ditë më vonë. Por ka qenë ndërhyrja e policisë ajo që ka lënë në mes planin agresiv të të rinjve, e cila ka shoqëruar madje 5 të rinj në komisariatin e Fierit. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë Komisariatit të Policisë Fier, sipas të cilave pesë fëmijët janë shoqëruar për në polici ku janë marrë në pyetje. Në polici janë thirrur gjithashtu edhe prindërit e tyre e më pas ata janë lënë të lirë duke u qortuar rëndë prej policisë dhe në rast përsëritjeje, ndaj tyre do të merren masa të tjera. Gjithçka ka nisur një javë më parë ku një grup djemsh nga shkolla 9- vjeçare "Mark Dashi" kishin planifikuar një ndeshje trup më trup me një grup tjetër të rinj nga shkolla 9- vjeçare "Andon Xoxa". Këto dy grupe kishin në përbërje rreth 30 të rinj nga klasat e 8- ta dhe 9-ta të këtyre dy shkollave. Data e ndeshjes ishte lënë mes të rinjve më 11 shkurt dhe ndeshja e parë do të zhvillohej në shkollën "Mark Dasho" rreth orës 12:00.
Ngjarja
Gjithçka ka nisur siç ishte planifikuar, por vazhdimi i situatës nuk është menduar si atillë nga nxënësit "gladiatorë". Rreth 30 të rinj janë grumbulluar në oborrin e pasmë të shkollës "Mark Dashi" ku janë vënë përballë grupit të kësaj shkolle me po kaq të rinj. Ndeshja ishte planifikuar ndeshje trupore por në realitet nxënësit mbanin dhe shkopinj bejsbolli. Por sapo ka nisur ndeshja mes të rinjve, është vënë në dijeni nëpërmjet një telefonate anonime policia, e cila ka mbërritur aty që në minutat e para të ndeshjes duke mos lënë shumë hapësirë për ndonjë viktimë apo dëmtim të rëndë. Policia ka shoqëruar për në komisarit rreth 5 të rinj për të zbardhur këtë ngjarje e cila ka tronditur shkollën 9 vjeçare "Mark Dashi", por dhe "Andon Xoxën". Ata që janë alarmuar kanë qenë nxënësit e shkollës "Mark Dashi" të cilët kanë parë këtë ndeshje të dhunshme nga xhamat e dritareve edhe pse kanë qenë duke zhvilluar mësim. Asnjë koment nuk është bërë nga drejtuesit e shkollës "Mark Dashi" duke u justifikuar me faktin që kjo ngjarje ka ndodhur në anën e pasme të shkollës ku dhe nuk kontrollohet lehtësisht nga roja, ndërkohë që këta të rinj kanë lënë të gjithë mësimin për t'u bërë pjesë e një veprimi kaq barbar. Ende nuk dihet se çfarë masash do të marrë policia e Fierit, pasi ajo ende nuk ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me këtë ngjarje. Drejtori i DAR-it në Fier, Tahir Kastrati ka pohuar se: "Presim relacionin e drejtorëve të këtyre dy shkollave. Më pas do të merren masa. Mund të ketë edhe përjashtime nxënësish sikundër do të merren masa edhe për mësues dhe psikologë të këtyre dy shkollave. Burimet zyrtare të policisë Fier pohojnë se pesë fëmijë po merren në pyetje, ndërsa shtuan se nuk do të ketë ndalime për shkak të moshës së tyre të mitur.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›