E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, tre variantet e reja për ndryshimin e KQZ-së

SHKRUAN: Fejzi Braushi 09-08-2011 12:07

Ndonëse reformën kushtetuese e kanë vendosur si kusht për të vijuar më pas reformën zgjedhore, socialistët janë të bindur se të dyja ato kanë një rëndësi të madhe, ndaj kanë nisur paralelisht punën për të hartuar propozimet konkrete. Ndërsa për reformën kushtetuese selia rozë ka hyrë në kontakte me konstitucionalistë të njohur në vend, për ndryshimet në Kodin Zgjedhor është duke u konsultuar me juristët e saj të cilët janë ftuar të japin dhe opsione të ndryshme për çështjet ku duhet ndërhyrë dhe për mënyrën sesi. Përbërja dhe mënyra e funksionimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përbën për PS-në pikën kryesore që kërkon një zgjidhje të domosdoshme në Kod, ndaj për këtë arsye ata janë duke shqyrtuar një sërë variantesh për të përzgjedhur në fund njërin prej tyre, me të cilin do të paraqiten në bisedime me demokratët.

Varianti i parë

Duke e parë KQZ-në si hallkën më të dobët dhe më të keqe të të gjithë procesit zgjedhor në vend, socialistët janë të vendosur që reforma elektorale të përqendrohet pikërisht në gjetjen e rrugëve që do ta sillnin këtë institucion në standardet e kërkuara për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të bindur se dy proceset e fundit zgjedhore në vend u manipuluan nga KQZ dhe drejtuesi i saj, PS po mendon për një zgjidhje që do të jepte garanci se zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë si ato të 2009-s dhe të 2011-s. Burime pranë selisë rozë kanë bërë të ditur se një gjë e tillë mund të arrihet duke ndryshuar formulën e përbërjes dhe të funksionimit të KQZ-së. Bëhet fjalë për të paktën tre variante, të cilat ndryshojnë jo pak nga njëri tjetri, ku nuk përjashtohet dhe mundësia e një KQZ-je apolitike. Varianti i parë është modeli maqedonas, i cili kohët e fundit ka treguar se funksionon më së miri. Sipas këtij varianti, KQZ duhet të jetë me një përbërje ndoshta sa edhe kjo e sotmja, por me shumicë nga opozita politike në vend. Gjithashtu, sipas këtij modeli, edhe kryetari i KQZ-së duhet të jetë i opozitës. Megjithëse duket një propozim që ka pak gjasa të pranohet nga mazhoranca, socialistët janë të mendimit se në këtë mënyrë do t’i jepej garancia opozitës për të menaxhuar vetë procesin zgjedhor, ndërkohë që shumica qeverisëse do të kishte si mjet kontrollues pikërisht të drejtën për të ankimuar në Kolegj.

Varianti i dytë

Varianti i dytë, që është duke u diskutuar, është ai për të patur sërish një KQZ me përbërje politike, me shumicë anëtarësh nga mazhoranca, por me drejtim me rotacion. Sipas këtij varianti, KQZ duhet të drejtohej në çdo tre muaj një herë nga opozita dhe një herë nga mazhoranca. Ndërkohë që në periudhën zgjedhore institucioni më i lartë zgjedhor duhet të drejtohet vetëm nga opozita.

Varianti i tretë

Një nga modelet e diskutuara është edhe ai i bërë më parë i ditur nga drejtues të lartë socialistë, për të patur një KQZ apolitike. Sipas kësaj ideje, KQZ-ja duhet të funksionojë me kohë jo të plotë, pra vetëm për periudhat para dhe gjatë zgjedhore, ndërkohë që në përbërje duhet të ketë gjyqtarë me integritet, të marrë kryesisht nga pjesa më e lartë e sistemit gjyqësor. Por të gjitha këto mbeten në kuadrin e ideve, pasi ende PS nuk ka vendosur se cili do jetë propozimi zyrtar me të cilin do të paraqitet në momentin që do të nisë diskutimi për reformën zgjedhore. Nga ana tjetër socialistët janë deri më tani të pavendosur edhe për çështjen e sistemit zgjedhor, nëse ai duhet të ndryshojë ose jo, megjithëse shpesh herë kohët e fundit nga eksponentë të lartë të PS-së janë shfaqur vlerësime negative për modelin që është sanksionuar aktualisht në Kushtetutë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›