E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, zjarri lë shtatë familje nën qiell të hapur

Një ndërtesë dykatëshe ka marrë flakë në orët e para të mëngjesit të djeshëm në lagjen "Liri Gëro" të qytetit të Fierit. Zjarri është diktuar nga banorët rreth orës 06:30 të mëngjesit dhe menjëherë është kërkuar ndihma e zjarrfikësve. Sipas dëshmitarëve, flakët kanë nisur në korridorin e katit të parë dhe më vonë janë përhapur në pjesë të ndryshme të godinës deri dhe në katin e dytë. Fillimisht, banorët kanë nisur të shuajnë flakët vetë, ndërkohë që më pas kanë mbërritur dy makina zjarrfikëse, të cilat kanë nisur punën për shuarjen e plotë të flakëve. Burimet policore nga qyteti i Fierit bënë të ditur se zjarrfikësit kanë mbërritur me dy mjete të shuarjes së zjarrit dhe kanë hedhur tonelata uji, ndërsa tymi është përhapur gjithandej duke vështirësuar punën e tyre. Mësohet se banorët kanë mundur të dalin nga pjesa e jashtme e oborrit të banesës së përbashkët. Sipas informacioneve të policisë, zjarri mund të kishte shkaktuar dëme shumë të mëdha për shkak se në ndërtesë ishin edhe disa bombola gazi, të cilat fatmirësisht janë nxjerrë në kohë nga godina. Mësohet se nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme të konsiderueshme materiale. Shkaqet e rënies së zjarrit ende nuk janë zbardhur, por mendohet se mund të jetë mbingarkesa në rrjetin elektrik. Në godinën e shkrumbuar jetojnë shtatë familje të vendosura aty prej bashkisë së qytetit. Ato i përkasin kontingjentit të familjeve të varfra dhe që janë me ndihmë sociale, e tashmë kanë mbetur në qiell të hapur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›